Politika në park!

Para pak kohësh, në Parkun “Rinia” të qytetit, takova Vason, një mik që shëtit shpesh në park.

E pyeta se ç’mendojnë njerëzit për parkun, që në fakt është një nga projektet  pothuaj te pakontestuara të viteve të fundit. Ai më tregoi për frekuentuesit e shumtë të parkut të rikonstruktuar, por edhe për një pjesë njerëzish që e ndiejnë për “detyrë partie” të mos e pëlqejnë parkun. “Nuk më shqetëson mendimi i tyre”, më tha Vasoja, “sepse tani parku ka përfunduar dhe askush nuk e zhbën dot më, por më vjen keq që këta njerëz nuk gëzohen dot njëlloj si unë.”

Duket si një bisedë normale që e bëjmë shpesh në rrethana të ngjashme  në kafene, në rrugë, zyrë, në dyqan, në parukeri, në taksi, gjithandej.

Por ka një drame brenda.

Eshtë drama e ndarjes së thellë të shoqërisë sonë.

Dhe këtu nuk e kam fjalën për mendimet apo shijet estetike individuale, të cilat as nuk janë dhe as nuk ka pse të jenë të njëjta. As për mendimet cinike për shkaqe karakteriale.

Përkundrazi.

E kam fjalën për influencën e fortë të politikës që shpesh atrofizon mendimin e lirë dhe kritik dhe e zëvendëson me një kod robotik të programuar nga krahu politik të cilit i përket. Në fakt është ithtarizmi më shumë se sa politika, që ka hyrë aq thellë në çdo qoshe të mendjes njerëzore, sa duket si e natyrshme që dy qytetarë të përkatësive të ndryshme politike, duhet të kenë patjetër mendime të ndryshme  për vettingun e gjyqtarëve, por edhe për kullën panoramike të Korcës, për taksat, por edhe për parkun, për reformen e arsimit të lartë, por edhe për pedonalen e qytetit, për Bibliotekën e re, por edhe për Pazarin e Vjetër.

Dhe natyrisht për këtë nuk e kanë fajin qytetarët, por lufta politike dhe mungesa e pjekurisë sonë si politikanë.

Fajtorë jemi të gjithë ne.

Ai, ajo dhe unë.

Unë dhe çdo politikan në pushtet apo opozitë, duhet të kishim bërë më shumë për të zbutur ndasitë sociale të prodhuara nga politika, duke gjetur forca të veçojmë nga fusha e betejës politike disa projekte, programe apo reforma, që janë të domosdoshme dhe nuk duhet të pengohen. Drejtësia, legalizmet, pronat apo formalizimi i ekonomisë psh, nuk mund të vonohen më. Ato nuk mund të zgjidhen duke i qasur elektoralisht. Beteja politike duhet të ketë kornizën e vet. Jashtë kësaj kornize duhet të lihen interesat afatgjatë të vendit dhe disa çështje të tjera të jetës komunitare, të cilat qytetet duhet t’i mbajnë si pjesë e debatit qytetar jopolitik.

Por ne nuk kemi kursyer as çështjet shumë të mëdha, as çështjet shumë të vogla.

Duke luftuar për çdo çështje, duke mos pranuar asnjë ide të kundërshtarit, ne kemi ndërtuar dita ditës modelin e një shoqërie të ndarë dhe kulturën e mosbashkëpunimit.

Korça dhe Shqipëria

Para pak ditësh isha në një takim të gjerë me studentë e pedagogë të Universitetit “Fan S. Noli”. Kryetari i Bashkisë prezantoi disa projekte zhvillimi dhe ftoi në partneritet Universitetin. për të zhvilluar së bashku projekt-idetë për Korçën.

Nuk ka shqiptar që ka vizituar Korçën dhe nuk mbushet me optimizëm, me punë dhe fuqi krijuese. Shqipëria mund të bëhet një vend normal, me standarde bashkëkohore.

Bashkia Korçë ka zgjidhur problemet e infrastrukturës nëntokësore, ka ndërtuar parqe dhe lulishte, ka kryer restaurimin më të rëndësishëm në historinë e këtyre 25 viteve, Pazarin e Vjeter, ka ndërtuar terrene moderne sportive dhe tani po finalizon projektin e Parkut Olimpik në një sipërfaqje prej 200 mijë m2 (më i madhi në rajon), ka ndërtuar rreth 25 mijë m2 hapësirë këmbësore në qendër, ka ndërtuar Muzeun e Artit Mesjetar që për pak muaj ka hyrë në faqet e shumë revistave dhe portaleve botërore të arkitekturës, deri te portali më i madh në botë Archdaily, që e nominoi për çmimin “Ndërtesa e vitit 2017”, po ndërton Qytetin unikal të Fëmijëve mbi një gërmadhë të një projekti të braktisur  para 30 viteve,  po rindërton teatrin A.Z.Çajupi sipas projektit të arkitektit Peter Wilson, i cili është arkitekti i teatrit të mirënjohur Luxor, të Roterdamit.

Ka edhe shumë projekte të tjera në zbatim.

Por ashtu si një kompjuter që ka nevojë edhe për software-in që të funksionojë, edhe një qytet ka nevojë për jetën dhe organizimin komunitar.

Në këtë kontekst e pashë unë ftesën e Bashkisë drejtuar studentëve dhe pedagogëve të Universitetit, për ta rimenduar së bashku projektin e Korçës (ReThink Korca).

Projekti i Bashkisë së re, që sapo ka filluar, me konceptin e zyrave të hapura, nuk ka nevojë vetëm për ndërtesën e re, por edhe për kulturën e re të punës së nëpunësve dhe ndërgjegjësimin qytetar për të kërkuar më shumë transparencë dhe standard në shërbim.

Biblioteka e re e sapofilluar, nuk ka nevojë vetëm për arkitekturën moderne. të përshtatur bukur me qytetin, të Peter Wilsonit, por edhe për stilin modern të të jetuarit nga të rinjtë. Ky stil dhe kjo kulturë nuk mund të ndërtohen pa një bashkëpunim të ngushtë me Universitetin.

Terrenet sportive do të degradojnë (disa prej tyre kanë filluar tashmë) nëse nuk ka interes nga të rinjtë për t’u përdorur.

Eshtë një sfidë e madhe për qytetin, Qendra e Fëmijëve. Ndonëse unë nuk kam parë një qendër më të madhe se kjo në rajon, ajo përsëri është e vogël për të përmbushur misionin e gjallërimit të jetës së fëmijëve dhe harmonizimin e programit mësimor me programet e shkollës komunitare. Por, mund të mbetet e zbrazët dhe e stërmadhe, nëse askush nuk i paraprin me një punë të madhe në bashkëpunim me shkollat dhe prindërit.

Pra. Korca ka ndërtuar infrastrukturën, por i duhet “softi” për ta vënë atë në funksion.

Tani Korçës i takon detyra e gjetjes së rrugëve të reja, inovative, për të ndërtuar komunitete të çliruara nga cinizmi dhe politika e padobishme dhe të stërvitura për të hyrë si të barabartë në familjen europiane.

Para pak ditësh kremtuam 130 vjetorin e Mësonjëtores së Parë Shqipe. Atje kujtuam vargjet që korçarin e mbushin plot krenari: “Lumja ti, o Korçë o lule, që i le pas shoqet e tua”.

Kohët kanë ndyshuar dhe bashkë me to edhe problemet, por historia duket sikur sot mund të përsëritet në një formë tjetër. Nëse një grup qytetarësh do të arrijnë të inspirohen nga puna e përbashkët për transformimin e qytetit. atëherë do të ndjehet një forcë e re, forca komunitetit si një muskul zhvillimi. Kjo do të ishte  bërthama e një kulture të re që e shikon politikën si një instrument për të prodhuar muzikën, jo si muzikën e vetme për tu dëgjuar.

Iniciativa si këto e bëjnë edhe politikën tonë më të mirë.

Ka një shembull modest në Korçë që e ilustron këtë. Shoqata e bizneseve të zonës Pedonale është bërë një model i punës së frymëzuar nga interesi i përbashkët. Në atë organizim të vogël nuk ka parti, nuk ka politikë, por ka interesim të përbashkët për të gjallëruar dhe bërë më interesante për qytetarët dhe vizitorët, qendrën e qytetit. Ata e hoqën Zonën Pedonale nga debati politik duke u berë vetë protagonistë.

Fitimi apo kënaqësia personale nuk vjen vetëm nga puna për parcelën tënde të interesit. Kjo është e thjeshtë të thuhet por e vështirë të zbatohet këtu në Shqipërinë tonë, ku  e përbashkëta, për shumë vite u keqkuptua dhe injorua si nocion komunist.

Kur jeta komunitare është e varfër, politikës i mbetet monopoli i përcaktimit të temave të debatit qytetar. Që nga kafja e mëngjesit e deri te debatet televizive.

Veçse shpirti i organizimeve për çështje më të mëdha se hallet vetjake, buron nga narrativa e shoqërise.

Kësaj kohe i mungon shpirti dhe narrativa e gjithë pranuar për të nesërmen. Nëse Korça  gjen optimizmin dhe e zgjon shpirtin, atëhere shqiptarët do t’ja kenë përjetë hua.

Një qytet nuk është bashkësia e njerëzve që e përbëjnë, por është një shpirt, një ndërgjegje, një princip i gjallë, një ide e gjallë.

Kur ekziston SHPIRTI, IDEALI, gjithçka është e mundur. Popujt kane fituar lirinë duke sakrifikuar jetë njerëzish, sepse kanë pasur një ideal. Ndërkohë një popull, një vend, një qytet, ka humbur beteja qesharake kur ka munguar SHPIRTI. Brezi im përmbysi diktaturën sepse shpresoi te Europa, por e ndoti me plehra dhe e shëmtoi këtë truall, sepse nuk besoi te Shqipëria. Konica ka të drejtë kur thotë: “nevojitet t’i japim SHPIRT Kombit shqiptar. Ky është problemi më i madh i shqiptarëve”.

Ishte dashuria dhe pasioni që rizgjoi Korçën në vitet e fundit.

Korça moderne nuk është një projekt i madh, por është një projekt i fuqishëm. sepse ka potencialin të jetë guri që krijon valën për t’u përhapur në të gjithë Shqipërinë. Korça është e vogël në gjeografi. por e madhe në ndjenjë. Çdo shqiptar sot merr shpresë nga Korça. Shpresa është ndjenja që do të përhapet gjithandej për të prodhuar idetë transformuese të qyteteve shqiptare të post-tranzicionit. Korça ka potencialin të jetë laboratori i zhvillimit.

Ndaj investimi për Korcën, është investim për Shqipërinë.

Shqipëria europiane do të vijë kur gjithsecili ta vendose qytetin apo zonën e vet në qendër të Shqipërisë dhe të punojë për të ndërtuar atje “një copë Europë”. Valët e përhapura nga çdo qytet do të zhbjerrin të vjetrën dhe do të sjellin të renë.

Dy fjale për cinikët

Kritizerët dhe cinikët janë treguesi i diçkaje të re që po ndodh. Lëvizja prish gjumin e dembelëve dhe kënaqësinë nga kotësia e të paaftëve. Në rrugën e ndryshimit ndeshen të gjithë. Ajo është plot gurë e guraleca, por një rrugë e shtruar nuk është më një rrugë e re, por është e vjetra rrugë që po vjetërohet me shpejtësi siç thotë Bob Dylan në disa vargje të këngës “Në këto Kohë në ndryshim”:

E vjetër Rruga juaj / Më e vjetër po bëhet me shpejtësi / Nëse nuk e ndihmoni dot / qëndrojini larg kësaj rruge të re /  Në këto kohë në ndryshim/