Policia identifikon autorët e vrasjes së trefishtë në Krujë

Tre persona nga e njëjta familje; babai, djali dhe nipi; u vranë me armë zjarri në fshatin Thumanë të Krujës, pas një konflikti banal të njërit prej viktimave me autorët e dyshuar të krimit. Në ngjarje mbeti e plagosur edhe gruaja e familjes Çeku.

Viktimat janë Fran Çeku, 79 vjeç; djali i tij Arben Çeku, 44 vjeç; si dhe nipi Eno Rama, 20 vjeç; të 3 banues në Thumanë. Mbeti e plagosur edhe Lucie Çeku, 66 vjeç.

Policia lokale thotë se ngjarja ndodhi pas një konflikti për motive banale, që autorët kanë pasur rreth një orë para vrasjes, me njërin prej viktimave, Arben Çekun.

Ndërkaq mësohet se tre personave të familjes Çeku nuk u është ngritur pritë siç u tha në fillim, por ata kanë qenë në banesën e tyre kur ndodhi krimi makabër.

Janë zbuluar detaje të reja të ngjarjes së rëndë në Thumanë të Krujës. Bazuar në hetimet e policisë, rezulton se autorët e vrasjes nga familja Kora i kanë thirrur të dalin në portën e shtëpisë pjesëtarët e familjes Ceka, duke i ekzekutuar një nga një.

I pari mësohet se është qëlluar Arben Ceku, në oborrin e shtëpisë, më pas ka dalë babai për të parë se çfarë po ndodhte dhe u ekzekutua në vend, pas krismave të dyta ka dalë edhe nipi i familjes 20-vjeçari Eno Rama i cili gjithashtu u qëllua nga autorët duke e lënë të vdekur në vend.

E tmerruar nga të shtënat, jashtë ka dalë edhe e zonja e shtëpisë Lucie Ceku, 66 vjeç, por edhe ndaj saj nuk janë kursyer plumbat. Ajo është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjende të rëndë për jetën.

Policia ka identifikuar autorët e masakrës në komunën Thumanë të Krujës, ku mbetën të vrarë tre persona të një familje dhe u plagos rëndë një tjetër.

Sipas policisë autorët e dyshuar janë  vëllezërit Danjel, Pëllumb e Besnik Kora, si dhe i ati i tyre  Guri Kora.

Mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një zënke për shkaqe që ende nuk dihen. Atentati ka ndodhur rreth 120 metra larg banesës së tyre, në një rrugicë të errët të lagjes.

Policia ka shpallur në kërkim autorët e ngjarjes së rëndë, të cilët janë fshehur pas masakrës.