Policia e Kosovës del me raport rreth vrasjes dhe plagosjeve në Skenderaj

Policia e Kosovës del me raportin e saj lidhur me vrasjen dhe plagosjet që ndodhet ne mengjesin e sotëm në Skenderaj. Sipas policisë pas kësaj ngjarjeje të ndodhur Policia ka konfiskuar tek të dy palët e përfshira në këtë incident pistoleta. Poashtu nga Policia e Kosovës janë bastisur shtëpitë e palëve të përfshira në kët incident.

Më poshtë e keni raportin e Policisë së Kosovës

Një rast ‘vrasje e rëndë’ është raportuar sot rreth orës 08:00 të mëngjesit në stacionin policor në Skenderaj, ku fillimisht ishte raportuar për të shtëna dhe si pasojë e shkëmbimit të zjarrit me armë tre persona ishin plagosur rëndë, ngjarje e ndodhur në rrugën “Ilaz Kodra” në Skenderaj.  Njësitë policore me të arritur në vendin e ngjarjes kuptojnë se të plagosurit ishin dërguar për ndihmë të parë në QKMF në Skenderaj, e më pas janë transportuar për në QKUK. Ndërsa rreth orës 09:40 nga personeli i QKUK-së është raportuar se njëri nga të plagosurit i gjinisë mashkullore, J. F. 30 vjeçar, kishte ndërruar jetë. Dy të plagosurit tjerë, njëri në cilësi të të dyshuarit M. A. 44 vjeçar po vazhdojnë të kurohen në QKUK dhe gjendja e tyre thuhet të jetë jashtë rrezikut për jetë, ndërsa i plagosuri i tretë, A. K. 41 vjeçar, që ishte kalimtar rasti kishte pësuar plagë aksidentalisht derisa po mundohej t’i jepte ndihmë njërit nga të plagosurit.  Nga procedimi i vendit të ngjarjes nga ana e hetuesve policorë të njësisë rajonale, me prezencë të prokurorit si prova materiale janë gjetur tetë gëzhoja të kalibrit të ndryshëm.   Lidhur me veprën penale të ‘vrasjes së rëndë’ Policia ka bërë bastisjen dy lokacioneve të ndryshme, gjegjësisht shtëpive të palëve të përfshira në vepër penale.

 Përveç bastisjes janë arrestuar dy persona tjerë në cilësi të të dyshuarve, mbi elemente të dyshimit të bazuar në lidhshmëri me veprën penale.

Njëkohësisht tek të dy palët e përfshira në vepër penale Policia ka konfiskuar dy pistoleta.   Nga hetimet e para në bazë të provave të gjetura në vendngjarje dhe informacioneve tjera të siguruara nga hetuesit policorë të njësisë rajonale, dyshohet se veprës penale t’i ketë paraprirë një zënkë në mes të dy palëve viktimës dhe të dyshuarit, M. A. të cilët në momentin kritik ushtronin veprimtarinë e transportit të udhëtarëve, ku pas një zënke për çështje të nisjeve, linjave të transportit të këtyre dy kompanive transportuese të ketë ardhur deri te vepra penale e ‘vrasjes së rëndë’.

 I dyshuari i parë M. A. dyshohet për vepër penale ‘vrasje e rëndë’ (nën masa të sigurisë në QKUK)

I dyshuari i dytë A. F. dyshohet për vepër penale ‘vrasje në tentativë’ (i është caktuar masa e ndalimit policor)

I dyshuari i tretë A. L. dyshohet për vepër penale ‘mbajtje në pronësi, kontroll të paautorizuar të armës (është liruar për procedurë të rregullt).

Trupi i pajetë i viktimës dërgohet për obduksion mjeko-ligjor.