“Përtej ditës dhe natës” përplas ëndrrat e dy të rinjve

Jeta dhe ëndrrat e dy të rinjve trajtohen në një stil alternativ të realizimit filmik. Regjisori ka zgjedhur të ikë nga konvencionalja. Sheshi i parë i xhirimeve të tij është ambienti i Galerisë Kombëtare të Kosovës.
“Përtej ditës dhe natës” është titulli i filmit të Zgjim Terziqit që tashmë ka nisur xhirimet dhe është një prej filmave të subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës për regjisorët e rinj. Gjashtë studentë të Degës së regjisë së filmit të Universitetit të Prishtinës në nëntor të vitit të kaluar kishin gjetur përkrahje nga QKK-ja për realizimin e filmave të diplomës .
Ky është rezultati i parë i marrëveshjes së bashkëpunimit që e kishte nënshkruar Ministria e Kulturës me Universitetin e Prishtinës qysh më 12 mars të vitit 2010. Në muajin gusht Arben Zharku, drejtor i QKK-së, dhe prodekani i Fakultetit të Arteve, Hajrush Fazliu, kishin nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit, i cili bazohet pikërisht në marrëveshjen midis MKRS-së dhe UP-së. Me këtë QKK-ja do të mbështesë filmat e diplomës deri në 20 mijë euro në vit.
“Filmi ‘Përtej ditës dhe natës’, në të cilin jemi duke punuar, është një rrëfim ekzistencialist në qendër të të cilit gjendet Blu( Valmir Xhemajli) dhe Bora(Nikki Murseli). Nga jeta e tyre nihiliste me ironi absurde shfaqet kthimi i pafundmë si koncept metaforik omnipresent ekzistencialist”, ka thënë Terziqi, tek ka provuar të zbërthejë tematikën e filmit, xhirimet e së cilit do të përfundojnë më 14 të këtij muaji.
Terziqi e di se shpjegimi që i bën filmit të tij nuk është shumë i kuptueshëm kur thuhet me fjalë. Por ai e ka të qartë idenë.
“E di që ky shpjegim mund të tingëllojë shumë konfuz, por vetëm në një mënyrë të tillë mund të shpjegohet ai film. Shpresoj që do të ketë vullnet e dëshirë sa më të madhe për ta parë dhe vlerësuar vetë shikuesi a e kam përkufizuar mirë, apo vetëm u shpreha si Blu, që është personazhi kryesor i filmit”, ka shtuar ai.
Terziqi është i kënaqur se si po ecën puna dhe pretendon që filmin ta finalizojë brenda vitit. E për “Përtej…” ai thotë se ka plane të tjera që pret t’i realizojë.
Sipas regjisorit dhe profesorit në Degën e Arteve Dramatike, Ismet Sijarina, të gjithë studentët nga kjo marrëveshje përfitojnë në vlerë prej 2 mijë deri në 3 mijë euro, varësisht nga buxheti që ndan QKK-ja

 
Loading...