Përjetimet e Ramazanit në Finlandë, mërgimtari Flamur Krasniqi, tregon se si është të agjërosh 21 orë gjatë ditës

Njëra nga sfidat kryesore për agjëruesit paraqitet koha e gjatë që ata duhet të abstenojnë gjatë ditës nga ushqimet dhe pijet. E, për këtë shteti i Finlandës është kampion.

Atje muslimanët të cilët kryejnë njërën nga pesë shtyllat e fesë së tyre, po agjërojnë hiç më pak se 21 orë gjatë ditës.

Në mesin e besimtarëve në këtë shtet që shtrihet në veriun e Evropës, ka edhe bashkëkombas tonë.

Flamur Krasniqi, që po e jeton vitin e tetë në këtë vend, ka treguar për 30 ditët se si kalohet ky muaj i bekuar në këtë shtet skandinav.

Ai ka theksuar se “që nga viti 2009 jetoj në qytezën Kaarina, që është pjesë komunes së Turkut, e Turku është qytet që shtrihet në krahinën Varsinais – Suomi”.

“Qyteti ku unë banoj ndodhet në pjesën jugore të Finlandës dhe kufizohet me Suedinë (deti i ndan në mes). Është një nga qytetet më të vjetra në këtë shtet, dhe thuhet se dikur ka qenë edhe kryeqyteti i Finlandës. Për shkak të një zjarri të madh është djegur gati i tërë qyteti, dhe më pas Helsinki është emëruar si kryeqytet”, ka treguar Krasniqi.

Sipas tij, flitet se në historinë e Finlandës se Turku ka qenë kryeqytet sa ka qenë vendi nën sundimin e Suedisë, “ndërsa Helsinki është emëruar i tillë, gjatë kohës që ky territor ishte nën sundimin e Rusisë”.

“Është një nga zonat më të banuara të Finlandës dhe njihet si qytet i universiteteve, kulturës, shkencës dhe i edukimit. Njëherit banorët e kësaj zone e konsiderojnë veten si banorët më të lashtë të vendit”, ka shtuar ai.

Krasniqi, i cili është agjërues i rregullt dhe praktikues preciz i obligimeve fetare, derisa ka treguar për historikun e vendit ku jeton, ka thënë se koha kur muslimanët duhet të abstenojnë nga ushqimi dhe pija shkon në 21 orë, duke shtuar se akshami  “sonte hyn në ora 23:03, ndërsa koha e lënies së syfyrit është në orën 02:00 pas mesnate”.

“Koha në mes të iftarit dhe syfyrit është vetëm 3 orë. Dhe për këto orë duhesh të hash dhe pish, ta falësh akshamin dhe taravitë. Është një kohë me të vërtetë e shkurtër, që të lë përshtypjen se je duke agjëruar 24 orë. Aq shpejtë që shkojnë orët, sa që nuk ke mundësi të hash më shumë se një herë brenda ditës”, ka sqaruar Krasniqi.

Ai duke qenë pjesë e “xhematit”, ka theksuar se numri i muslimanëve në tërë Finlandën shkon rreth 100 mijë sosh, por se numrat sipas tij, ndryshojnë në çdo kohë për shkak të lëvizjeve të mëdha të refugjatëve drejtë Evropës.

“Për numrin e agjëruesve nuk mund të them se sa është në terma konkret, mirëpo ka mjaft muslimanë që agjërojnë”, ka thënë Krasniqi.

Ai thotë se një gjë që është në favorin e agjëruesve mbetet sipas tij, moti jo shumë i nxehtë.

“Temperaturat nuk janë të larta, diku më e larta ka qenë 24 gradë celsius. Mirëpo, mund të them se shumica e ditëve kanë qenë të freskëta dhe me shi. Nëse temperaturat do të ishim më të larta, atëherë do të ishtë një sfidë tepër e vështirë”, ka thënë Krasniqi.

Mërgimtari nga Kosova tregon se edhe me fëmijët po e ushtrojnë të qenurit agjërueshëm, mirëpo në orare më të shkurtëra.

“Agjërojnë ta zëmë nga ora 15:00 deri në ora 18:00, sa për tu mësuar me këtë praktikë”, ka shtuar ai.

Ky vend ka edhe pjesë në të cilët nuk perëndon dielli fare tregon Krasniqi, duke sqaruar se “600 – 800 kilometra nga këtu prej nga ku unë banoj, dielli nuk prendon fare: shembull në qytetin Rovaniemi e në pjesët më të larta, duke shkuar nga veriu”.

Ai duke folur për ushqimet të cilat i konsumon gjatë Ramzananit, ka theksuar se “çështja e ushqimit është sfiduse, për shkak të kohës së gjatë të agjërimit dhe faktit se duhet të kemi kujdes që mos të ngopesh me ujë, lëngje ose fruta, e më pas mbetesh pa ngrënë bukë, sepse vështirë pastaj përballohen 21 orë të tëra”.

“Mirëpo më e shumta që flitet dhe sugjerohet në mesin e muslimanëve është ngrënia e shalqirit dhe të disa hurmeve – në fund të shujtes së iftarit – për shkak të kalorive të mëdha që përmbajnë ato”, ka theksuar Krasniqi.

Sipas tij, për “finlandezët është pak e vështirë për ta kuptuar se si qëndron një njeri pa ngrënë për 21 orë gjatë ditës, sepse kultura e të ngrënit në Finlandë është që të ushqehesh 5 herë në ditë, me sasi të limituara, por me llojllojshmëri të ushqimeve”.

“Mirëpo e dinë që është kohë e Ramazanit dhe muslimanët agjërojnë”, ka thënë ai.

Për më tutje, Krasniqi ka treguar edhe për aktivitetet që po bëhen për nder të Ramazanit, duke thënë se nuk ka pasur organizime nga komuna, mirëpo nuk është se edhe muslimanët kanë bërë takime ose evenimente të tilla, për shkak se koha është tepër e shkurtër në mes iftarit dhe syfyrit./www.30ditet.com/.

 
Loading...