Përgjaket aktiviteti elektoral në Turqi

Dy shpërthime të fuqishme kanë tronditur dje mitingun e partisë opozitare pro kurde në Turqi, duke lënë 2 të vdekur e mbi 100 të tjerë të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Shpërthimet ndodhën kur dhjetëra mijëra persona ishin mbledhur në mitingun e Partisë Popullore Demokratike pro kurdëve (HDP), në Diyarbakir, qyteti më i madh në rajonin juglindor të Turqisë, që banohet më së shumti prej kurdëve.

Kryeministri Davutoglu ka reaguar menjëherë, duke thënë se është ende e paqartë, nëse shpërthimet erdhën si pasojë e ndonjë sulmi apo ishin thjesht aksidentale.

Sipas raportimeve fillestare thuhet se kishte pasur vetëm dy shpërthime. Zyrtarët fajësuan fillimisht një defekt elektrik në një transformator energjie, që ndodhej pranë vendit të mitingut, por më pas e përjashtuan këtë mundësi.

Shpërthimet vranë dy persona dhe plagosën më shumë se 100 të tjerë. Spitalet e qytetit bënë një apel urgjent për dhurim gjaku.

Partia kurde HDP është shumë pranë pragut të 10 përqindëshit, i mjaftueshëm për të siguruar futjen në Parlamentin turk, për të hyrë kështu në histori si e para parti kurde që arrin këtë objektiv. E nëse do ta arrinte këtë objektiv, ajo do t’i privonte shumicën absolute partisë në pushtet “AK” të Erdoganit, të cilën e ka shijuar që prej ardhjes në pushtet në vitin 2002.