Përfundon protesta, listat dalin javën tjetër

Ish – luftëtarët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë ndërprerë protestën pak minuta më parë.
 Përfundimi i kësaj proteste erdhi pas një takimi që zhvilluan përfaqësuesit e ish – luftëtarëve të UÇK-së me anëtarët e komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Xhevdet Qeriqi, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtareve të UÇK, pas këtij takimi ka thënë për media se ka marrë premtimin se deri javën e ardhshme do të bëhet publikimi i plotë i listave./KosovaPress/
 Komisioni pranon në takim veteranët protestues
Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka pranuar në takim disa prej përfaqësuesve të veteranëve.
Në takim është parë të hyjnë kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtareve të UÇK Xhevdet Qeriqi dhe rreth 7 persona të tjerë të cilët ishin të pranishëm në protestë.
Komisioni e thërret Qeriqin në takim
 Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtareve të UÇK Xhevdet Qeriqi ka pranuar një telefonatë nga një përfaqësues i Komisionit për verifikim.
Ai vazhdimisht është duke iu bërë thirrje protestuesve veteranë që të dalin nga oborri i Qeverisë dhe një delegacion prej pesë vetash të takohen me përfaqësuesit e Komisionit.
Por jo të gjithë bashkëluftëtarët e tij po i binden thirrjes së tij për të dalë jashtë oborrit.
Disa nga ta janë ulur në tokë dhe janë të vendosur të qëndrojnë aty.
 Qeriqi kërkon takim me përfaqësues të Komisionit
 Xhevdet Qeriqi vazhdimisht po bën thirrje protestuesve veteranë që të dalin nga oborri i Qeverisë në mënyrë që të ulen para objektit dhe të presin një përfaqësues nga Komisioni për verifikim mirëpo thirrjes së tij nuk po i binden protestuesit.
Ata po vazhdojnë të qëndrojnë brenda oborrit të Qeverisë së Kosovës ku kanë hyrë disa minuta më herët.
Qeriqi po ashtu bën me dije se ka kërkuar takim me përfaqësuesit e Komisionit por që deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
 Qeriqi bën thirrje për protestë të qetë
Kryetari i Këshillit për të Drejtat e Luftëtarëve të UÇK-së Xhevdet Qeriqi vazhdimisht po bën thirrje që mos të përdoret dhuna nga ana e protestuesve veteranë.
Sipas tij protestuesit nuk kanë nevojë të përleshen me policinë sepse siq ka thënë ai këtu kanë dalë për t’i kërkuar të drejtat e tyre e që janë publikimi i të gjitha listave.
Momentalisht protestuesit gjenden brenda oborrit të Qeverisë së Kosovës pasi që menjëherë pas fillimit të protestës ia kanë dalë t’i kalojnë me dhunë rrethojat e ndërtesës.
Para Qeverisë ka forca të mëdha të Policisë.
 Veteranët kanë hyrë në oborr të Qeverisë
Protestuesit veteranë ia kanë dalë t’i kalojnë rrethojat e oborrit të Qeverisë dhe momentalisht janë në oborrin e Qeverisë së Kosovës.
Ka përleshje mes protestuesve dhe policisë, këta të fundit e kanë krijuar një kordon para hyrjes kryesore dhe nuk po lejojnë askënd të futen brenda objektit. Në oborr të Qeverisë janë prezent njësitë speciale të Policisë së Kosovës/
 Veteranët tentojnë të hyjnë në oborrin e Qeverisë
Qindra ish – luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët janë mbledhur para oborrit të Qeverisë, kanë nisur protestën e tyre me dhunë.
Ata kanë nisur të shtyjnë rrethojat e ndërtesës së Qeverisë duke tentuar të futen brenda.