Pekini po e zmadhon fuqinë e tij me ishuj artificialë

Prej vitesh, në Detin e Kinës Jugore po zien një konflikt i hapur për të drejtat territoriale mes Kinës dhe fqinjëve të saj. Pekini po e forcon prezencën e tij fizike e ushtarake në rajon – tashmë duke ndërtuar edhe ishuj artificialë, veprim që i ka alarmuar prej kohësh tashmë shumë shtete të rajonit

Pekini ka lëshuar një paralajmërim në konfliktin mbi ishujt Spratly dhe po ndërton një prezencë të fuqishme në rajon – tashmë me ndihmën e ishujve artificialë. Fotot satelitore tregojnë se sa mbresëlënëse e ambicioze janë projektet kineze. 200 shkëmbinjtë koralorë dhe bankat ranore në Detin e Kinës Jugore, prej shumë vitesh janë bërë tashmë shkaku i sherreve mes Kinës, Vietnamit, Tajvanit, Filipineve, Malajzisë dhe Bruneit. Ishujt Spratly gjenden në mes të Detit të Kinës Jugore. Në zonën ku ndodhen rrugët më të rëndësishme detare e që mbajnë nën tokë rezerva të mëdha nafte e gazi natyror. Të gjitha palët në konflikt po ziejnë nga ethet e bizneseve që sjellin miliona.

Kështu, Filipinet për shembull, e akuzojnë Kinën në këtë konflikt për ishujt në Detin e Kinës Jugore se po kryejnë një “vjedhje të hapur e masive të territoreve të fqinjëve”. “Qeveria në Pekin po zhvillon e çon përpara shumë shpejt projekte ndërtimore në rajonet e diskutueshme detare, për t’u paraprirë pretendimeve ligjore e territoriale që mund të kenë palët e tjera të përfshira në këtë debat me ta, e për t’i vënë ata para faktit për të mbytur kësisoj çdo përpjekje të tyre qysh në embrion”, tha ministri i Jashtëm filipinas, Albert del Rosario. Kina në këtë mënyrë do të përvetësojë praktikisht të gjithë Detin e Kinës Jugore.

Pretendimet territoriale të Kinës janë “të pavlefshme dhe kundër të drejtës ndërkombëtare”, tha më tej Del Rosario. Kina ka ndërtuar ndërkaq në ishujt artificialë, ndërtesa, aeroporte dhe kantiere detare.

Filipinet dhe Indonezia duan që t’i bëjnë ballë së bashku në mënyrë të koordinuar përpjekjeve kineze për përvetësim territoresh dhe synimeve të saj për hegjemoni në rajon. Filipinet në vitin 2013 bënë një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Në fillim të 2016-s, prej saj pritet tashmë një vendim. Mirëpo Kina nuk e njeh këtë proces.

Pekini hedh poshtë kritikat

Kina, sipas të dhënave që disponohen, nuk do të lejojë asnjë kompromis në konfliktin territorial që ajo ka për ishujt artificialë në Detin e Kinës Jugore e atë të Kinës Juglindore. “Qëndrimi i Pekinit është i qartë”, tha ministri kinez i Mbrojtjes, Chang Wanquan.

Pekini i ka hedhur poshtë me forcë kritikat e akuzat për ngritjen e ishujve artificialë dhe ushtrimin e veprimtarive ndërtimore në to. Ato janë “konstruksione të domosdoshme në ishujt tanë”, tha ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, në fillim të marsit në një konferencë për shtyp në prag të mbledhjes vjetore të Kongresit Popullor në Pekin.

“Ne i hedhim poshtë kritikat.” Kina po ndërton në oborrin e kopshtit të saj. “E për këtë, ne kemi çdo të drejtë.” Në të njëjtën kohë, ministri u betua se Kina dëshironte ta zgjidhte paqësisht konfliktin.

Kërcënimet për SHBA-në

Qysh në vitin 2011, Kina në kuadër të ashpërsimit të tensioneve për çështjen e Detit të Kinës Jugore, i kërkoi SHBA-së të qëndrojë larg debateve e konflikteve të Kinës me fqinjët e saj në rajon. Kritikë ushtroi shefi i përgjithshëm i Shtabit të Ushtrisë kineze, Chen Bingde, sidomos mbi manovrat e SHBA-së me Vietnamin dhe Filipinet.

Për këtë tashmë “nuk është koha e duhur”, tha ushtaraku më i lartë kinez pas bisedave me homologun e tij amerikan, Mike Mullen, para gazetarëve në Pekin. Mullen, nga ana tjetër, paralajmëroi Kinën për “llogari të gabuara” në konfliktet me fqinjët e saj për ishujt Spratly.

Sipas gazetës britanike “The Guardian”, Uashingtoni dëshiron që deri në 2020-n të riorganizojë rreth 60 për qind të flotës së saj në Paqësor, për të siguruar në terma afatgjatë paqen në rajon.