PDK kundërshton “Prishtinalitë e Vjetër”: Po provohet të na jepet epiteti i partisë së katundarëve

Partia Demokratike e Kosovës nuk është dakord me formimin e shoqatës së prishtinalive, kryetari i kësaj partie në Prishtinë Lirak Çelaj po thotë se krijimi i këtij forumi po bëhet për qëllime partiake të LDK-së.

Çelaj po thotë se PDK-së po provohet të i jepet epitet i partisë së katundarëve për shkak të përkrahjes që ka në zonat rurale.

“Absolutisht s’ka asnjë argument në këtë drejtim, unë ju gjej ma shumë qytetarë brenda PDK-së se sa në LDK, ky është debat ma koti, është tendencioz. Janë mundu që PDK-në ta etiketojnë si parti të Drenicës  ose e katundarëve por absolutisht nuk është e vërtetë një gjë e tillë”, ka deklaruar ai.

Iniciativën e Bardhyl Metës dhe Muhamet Mustafës, Çelaj po e quan debat i kotë dhe debat racistë.

“Unë nuk qenkam në dijeni për këtë debat por në parim nuk e di se cili është qëllimi i këtyre e as se çka kanë me bo me këtë gjë. Jam kundër regjionalizmave, na jemi popull i vogël dhe me ja nis e mu nda kështu në krahina e rajone ne dëmtohemi shumë, pra s’kemi nevojë”, ka thënë Çelaj për Gazetën Express.

“Me qenë një iniciativë e qytetarëve të Prishtinës që nënkupton të gjithë banorët por jo  “prishtinalitë e vjetër”, iniciativa të tilla ka pas edhe më herët pra për mbrojtjen e qytetit  me reagua për interesa të qytetit, në këtë parim pse jo është në rregull por jo kështu “prishtinali të ri e të vjetër” pasi këto ndarje nuk na bëjnë mirë” është shprehur Çelaj.

 
Loading...