PDK- ja minorancë kundrejtë opozitës në Kuvendin Komunal të Drenasit

Shkruan Sokol Bylykbashi

Zgjedhjet komunale të 22 tetorit ia kanë humbur PDK-së shumicën formale në Kuvendin Komunal. PDK nga 21 këshilltarë që i kishte në mandatin e kaluar, tashmë i ka vetëm 14 këshilltarë.

Rënia drastike e numrit të këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal është ndëshkim për mospërfaqësim. Për katër vite rresht, këshilltarët e PDK-së ishin reduktuar vetëm në “mekanizëm votues”, që në shumicën e rasteve, përmes arrogancës së numrave i përkrahnin propozim-vendimet e dëmshme për qytetarët tanë.

Opozita në Drenas e ka shansin dhe mundësinë, që në organin më të lartë komunal t’i shtyjë përpara idetë që e bëjnë Komunën tonë një hapësirë publike në shërbim të të gjithëve. Përveç kësaj, opozita mundet që ta ketë kryesuesin e vet dhe shumicën në Komitetin për Politikë dhe Financa.

Për të gjitha këto, është e rëndësishme që mos të ketë përmbysje të forcave pozitë-opozitë. Këshilltarët e opozitës nuk duhet të tunden nga ofertat dashakeqëse e klienteliste që mund të ua bëj PDK-ja. Kushdo nga opozita që kalon në grupin e këshilltarëve të PDK-së bën akt tradhtie ndaj elektoratit të vet, dhe çdo arsyetim nuk është asgjë tjetër, pos hipokrizi.

(Autori është themelues dhe asambleist i Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas)