Pazari me historinë e Kosovës

Fatmir Lama e ka mësuar historinë vetëm pasi ua ka hequr pluhurin dokumenteve historike nëpër arkiva të Kosovës. Nuk i kanë mjaftuar faktet e shkruara. Ka dëgjuar edhe dhjetëra dëshmi të të mbijetuarve, por edhe rrëfime të bartura brez pas brezi.
Me nismë individuale ka mësuar në pleqëri të vërtetat që në fëmijëri do të duhej t’i dëgjonte në bankat shkollore prej gojës së arsimtarit të historisë. Tash e ka vërtetuar, duke hulumtuar me duart e tij, qasjen hileqare të sistemit të atëhershëm politik.
 “Po, unë shumë gjëra nuk i kam ditur, por tash po e mësoj se shumë gjëra nuk janë ashtu si na i kanë mësuar. Kurrë nuk na është thënë e vërteta”, thekson regjisori Lama (69), i cili misionin individual e ka përmbledhur në serinë e dokumentarëve faktografikë “Rrëfime për Kosovën”, në televizionin KTV.
Gjashtë pjesët e para – “Okupacionet”, “Shkollat”, “Rrëmbimi i Kosovës”, “Ferexheja”, “Uria” dhe “Elaboratet” – janë emetuar vitin e kaluar. Tetë të tjera janë në procesin e punës në montazh. “Rrëfime për Kosovën” do të mbesin dëshmia e gjallë, më reale e një kohe. “Me dëshmitarë okularë. Pa politikanë, pa historianë…”, thotë regjisori Lama. “Pa censurë”. Për shumëkënd njëri nga projektet më serioze televizive.
“Është dokumentar faktografik me dëshmitarë”, thekson Lama. Dëshmitarët rrëfejnë përvojat e tyre prej fëmijërisë, kur kishin parë me sytë e vet zhvillimet që pasuan pushtimin italian të Shqipërisë në prill të vitit 1939 e deri te protestat studentore të 1 Tetorit të vitit 1997 në Prishtinë. Lama shpjegon pse në dokumentarët e tij nuk ka vend për politikanë e historianë.
“Ti më pyete pse po i bën dokumentarët pa historianë e politikanë. I bëj për shkak se historianët e kanë shkruar historinë sipas regjimit”, thekson Lama në studion e montazhit. Ai thotë se i njëjti profesor – të cilit nuk dëshiron t’ia thotë emrin – që e kishte mësuar në shkollë të mesme vetëm për shpërnguljet dhe carët serbë të mesjetës, tani është mentor i shumë doktorëve të historisë.
“Na e kemi kryer gjimnazin pa e ditur prejardhjen ilire, Lidhjen e Prizrenit, pa ditur kurrgjë shqiptare”, thotë Lama, duke pranuar se ndryshime pozitive u shënuan gjatë viteve shtatëdhjetë. Regres u shënua në vitet tetëdhjetë (pas demonstratave të vitit 1981). /Koha Ditore/