Pas 17 vjetësh qëndrim në Zvicër, kthehet në Kosovë

Këta që shihni në foto janë nga Turjaka e Malishevës. Janë familjarë. Kanë dalë në aeroport të Prishtinës ta presin edhe një anëtar të familjes. Pjesa më e madhe e tyre janë në Perëndim, gjysma e tyre në Zvicër. Si çdo vit tjetër, kanë ardhur në Kosovë për pushime verore. Por, njëri prej tyre, deri më tash, për shkak se nuk kishte letra për lejeqëndrim në Zvicër, 17 vjet s’ka qenë asnjëherë në vendlindje as me gruan, as me fëmijët. Zviceranët e lejonin të punonte e të jetonte atje, por jo edhe të vinte në Kosovë e të kthehej prapë sikur tash.Gjithë këto vite pa u parë, kanë rënduar mallin e familjarëve për Besim Kastratin, prandaj e kanë lënë në shtëpi kryefamiljarin, Jahir Kastratin, e vet kanë dalë ta presin dikush vëllanë, dikush xhaxhanë, dikush dajën, dikush tjetër më të madhin e shtëpisë pak kilometra më afër tij. S’ka dalë ta presë edhe e nëna, të cilën, për shkak të mospasjes drejt të udhëtimit, nuk i është dhënë mundësia të vijë ta vizitojë sa e kishte mirë me shëndet, as në kohën kur e kishte të shtrirë në spital, as për t’ia dhënë lamtumirën kur i ndërroi jetë. Erdh tash, në këtë javë, disa vjet pas vdekjes së saj. Dhe, e gjeti Kosovën, sipas tij, krejt një vend tjetër, ndryshe nga që kishte parë në ekran të televizorit, as krejt ashtu sikurse kishte dëgjuar për të nga familjarët që i vinin ndonjëri dy e tri herë në vit, ndonjëri një herë në vit në Kosovë. “Nuk ma paskan përshkru Kosovën sikur koka ba, kaq e bukur, me ka shumë vlerë”, thotë Besimi, i cili ka ardhur të investojë në Kosovë, të cilën thotë se e do aq sa nënën e ndjerë, për të cilën ndien si për një qenie njerëzore, sepse kujtimet më të mira i ka të lidhura me vendlindjen, me familjarët, me shokët, me miqtë.

Profil mërgimtarësh

Vëllezërit Kastrati nga Turjaka e Malishevës, të bijtë e Jahir Kastratit, që veprojnë dhe punojnë në Zvicër që rreth 20 vjet, kanë ndërtuar atje një fabrikë të metalit, në të cilën punojnë profile të ndryshme të metalit, veçanërisht për qendra tregtare, për rekreative-sportive, për ura, për hekurudha etj. Vitet e fundit kanë nisur të ndërtojnë edhe objekte banesore, të cilat pastaj i japin me qira. Në punishtet e veta, thotë drejtori Kadri Kastrati, pjesën më të madhe të punonjësve i ka shqiptarë nga Kosova dhe bashkëpunimin me ta e ka shumë të mirë. Ai tregon se firma e tij ka lidhur kontrata me hekurudha të Zvicrës, me institucione shtetërore zvicerane, ndaj të cilave është shumë i përgjegjshëm.