Pallati i Rinisë përfundimisht nuk do të jetë ndërmarrje komunale e Prishtinës

Në koncept dokumentin për Ligjin për kryeqytetin që po e punojnë kryeqyteti bashkë me Ministrinë e Pushtetit Lokal, kjo pikë është larguar tërësisht.
Tani i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se në bazë të ligjeve në fuqi do të kërkojë nga qeveria që pallatin t’ua japë në bashkëpronësi me komunat e tjera, si Obiliqi, Fushë-Kosova, Graçanica, si edhe një pjesë e Artanës që dikur ishin pjesë e komunës më të madhe në vend.
 Idenë e Ahmetit e ka përkrahur edhe Komuna e Obiliqit, kryetari i së cilës, Xhafer Gashi, udhëheqjen e përbashkët nga komunat, qytetarët e së cilave kontribuuan në ndërtim të pallatit, e sheh si më të duhurën.
Zyra për media e kryetarit të Fushë-Kosovës, Burim Berisha, ka thënë se kjo komunë përkrah çdo vendim që vjen nga niveli qendror.
Ahmeti ndërkohë thotë se beson që qeveria do të vendosë pro kësaj ideje, ngase vetë kryeministri Isa Mustafa ishte shprehur kundër privatizimit të objektit.
Kërkesën zyrtare, qeverisë, komunat e bashkuara thanë se do ta dërgojnë shpejt, në mënyrë që pallati të mos humbë investime nga jashtë, siç ndodhi vite me parë me 9 milionë euro të Komisionit Evropian.
Në mungesë statuti, salla e madhe e djegur vazhdon të mos rinovohet, ndonëse me pranimin e kombëtares së basketbollit në FIBA po kërkohet që kjo sallë të mos përdoret më si parking. /koha/