Pabarazia shoqërore në botë!

Shkruan Driton Smakaj

Pabarazia shoqërore në botë! Ekonomistët kjo temë i mbanë nën ethe. Sa më shumë që shohim lëvizjen e kapitalit dhe politikat shoqërore në zbatim, aq më shumë studimet na dalin të frikshme. Sepse pabarazia sociale në botë është rritur edhe më shumë në dy dekadat e fundit.

Në SHBA rreth 40% të njerëzve nuk posedojnë asete. Sipas llogaritjes së pasurisë, nëse jeton në SHBA, nuk ke borxhe dhe ke 10 dollar në xhep, sipas statistikave hyn në kategorinë e njerëzve të pasur.

Në Europë, situata e pabarazisë është diçka më e butë se sa në SHBA, por edhe në Europë hendeku mes të pasurve dhe të varfërve, në dy dekadat e fundit është rritur dhe vazhdon të rritet me një përqindje shqetësuese. Natyrisht politikat shtetërore nuk arrijnë të gjejnë ekuilibrin dhe të ofrojnë programe zhvillimore që ndikojnë në zvogëlimin e këtij hendeku.

Janë vërtetë interesante studimet e fundit rreth kushteve të jetës së familjeve të pasura në krahasim me familjet e varfëra. Kujdesi që bëjnë familjet e pasura për shëndetin në plan të parë, kanë arritur të ndikojnë mesatarisht të jetojnë 10 vite më gjatë se sa familjet e varfëra. Ky studim mund të ngjallë paknaqësi të mëdha tek masat e gjëra shoqërore në Europën e zhvilluar, për faktin që masat shoqërore nuk janë më lehtë të manipulueshme nga klasa politike sikur para disa dekadave. Ky studim, ka sjellë në pah gjithashtu një nivel më të lartë të inteligjencës tek fëmijët e familjeve të pasura, për faktin që rreth këtyre fëmijëve është një botë me më shumë informacion dhe qasje në gjëra të reja dhe inovacion. Jo rastësisht familjet, por edhe individi sot është në një garë të tmerrshme për t’u pasuruar. Individi i shoqërisë kapitaliste është vazhdimisht nën presion për të arritur sa më shumë kapital, sa më shumë para, sa më shumë gjithçka. Një EGO që nuk ka kufi në një dinamizëm pa frena.

Sidoqoftë, ky hendek mes shtreses së pasur dhe të varfër, duhet të bëhet temë qendrore sa më shpejtë mes qendrave të mëdha të vendosjes. Sepse sa më shumë kohë kalon, aq më i thellë hendeku bëhet, e pastaj vetëm aparati i forcës do mbetet si instrument për të provuar ruajtjen e një “kulle prej letre” shoqërore.

Gara e njerëzve për t’u bërë milioner, është një garë pa fitues. Sistemi liberal ekonomik, ndërton në vetvete një sistem piramidal, ku në majën e Piramidës gjenden miliarderët e ku pas tyre kapen milionerët dhe pastaj e tërë baza dhe shtati i Piramidës punojnë për majën e saj, e cila nuk i jep asnjë vlerë jetës shoqërore që zhvillohet nën të.

Ky sistem shoqëror ka krijuar aq të mira materiale, saqë do kishte mjaftueshëm për të gjithë njerëzit në Planet, të jetonin në paqe, pa uri dhe pa luftëra. Por, për faktin e koncentrimit të kapitalit në pak familje, bota lëkundët dhe nuk e gjenë pikën e qetësisë dhe mirëqënies.

Bota sot ka rreth 33 milion njerëz që janë milionerë. Nga ~7 miliardë banorë sa ka bota, këta përbëjnë ~0.4 % të popullsisë së përgjithsme të botës, këta, figurativisht, gjenden në majën e Piramidës e cila çdo ditë e më shumë bëhet më e brishtë.

Barazia shoqërore është utopi. Nuk ka për të ndodhur kurrë në historinë e njerëzimit. Por, politika të mirëqënies brenda një shoqërie të pabarabartë mund të bëhen, njerëzit mund të arrijnë të gjejnë një ekuilibër ekonomik në një sistem ku Shteti shtynë të pasurit të marrin më shumë përgjegjësi për mirëqënien e përgjithshme, duke ndikuar në ri-shpërndarjen ekonomike. Pasuria nuk është privilegj, përkundrazi është përgjegjësi.

Shtetet moderne të shekullit njëzëtenjë duhet të adresojnë barazinë apo pabarazinë shoqërore me kohë dhe siç duhet.

Një gjë është e sigurtë, e kjartë KRISTAL që bota kurrë nuk do të ketë 7 miliardë banorë, të gjithë milionerë.