OVL-UÇK reagon për rastin e ministrit serb

Organizatat e Dala nga Lufta besojnë se organet e drejtësisë në vend nuk do të rrinë ‘duar kryq’ ndaj rastit të ministrit serb të Bujqësisë, Nenad Rikallo, i cili është përfolur se ka bërë keqtrajtime gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati thotë se nëse janë të vërteta deklaratat e dëshmitarëve për ministrin në fjalë, atëherë i njëjti duhet sa më shpejtë të largohet nga qeveria “Haradinaj”. “Nëse është e vërtetë, atëherë kjo është një turp për neve me mbajt atë në qeveri dhe në institucioneve të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas Gucatit, me Rikallon duhet të merren drejtësia dhe hetuesia, e jo organizata e veteranëve. Mirëpo, ai shpreson se sa më shpejt duhet do të zbardhet e vërteta për të.

“Ne e dijmë edhe rastin e Jabllanoviqit kur i ka fy nënat shqiptare, nanat tona, dhe pastaj e kanë tërheq. Nëse është kështu, unë besoj në punën e gjeneralit Haradinajt dhe ai të merr hapa ndaj tina. Unë për protesta nuk do të kisha thënë, por më shumë i besojë punës së z.Haradinaj dhe t’i merr hapat e duhur dhe nuk do të na len me dal me protestu ndaj atij krimineli, nëse është kriminel po them”, është shprehur ai.

Ndryshe, ministri Rikallo përmes një letre drejtuar mediave ka thënë se ndihet i pastër dhe se gjatë kohës sa ishte në Prishtinë ka luajtur basketboll, ka studiuar dhe ka jetuar jetë të qetë duke i respektuar secilin fqinj shqiptarë.

“Si një person që është dëshmuar në angazhim për pajtim mes komuniteteve dhe për një shoqëri multietnike gjatë 18 viteve të fundit, e kuptoj se plagët e luftës ende nuk janë shëruar dhe se ende shkaktojnë dhimbje pa marr parasysh se kujt i përkasin. Këto plagë shkaktojnë emocione të thella me të cilat më së lehti manipulohet. Në asnjë moment nuk i kam bërë asnjë të keqe asnjë shqiptari të Kosovës. Deri në vitin 1999 kam luajtur basketboll, kam studiuar dhe kam bërë një jetë të qetë në Prishtinë. Asnjëherë me asnjërin prej fqinjëve nuk jam fjalosur apo hyrë në konflikt. Tani po e shoh se disa prej tyre nuk më paskan pëlqyer edhe aq, por besoj se me shumicën kam pasur respekt”, thuhet ndër të tjera.