Organizata Islamic Relief Kosova ndihmon familjet e varfra në Mitrovicë

 

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur përfaqësuesit e organizatës Islamic Relief Kosova, me të cilët ka biseduar për mundësin që tu ofrohet ndihmë familjeve nevojtare në Mitrovicë, me theks të veçantë  fëmijëve jetim.
Zyrtarja e mirëqenies së fëmijëve në kuadër të Islamik Relief Kosova, Fatma Zatriq, ka njoftuar kryetarin, se përmes një projekti të tyre, do të bëjnë shpërndarjen e druve për 250 familje në Kosovë, si dhe pako ushqimore për 450 familje. Ndonëse kjo organizatë në mënyrë periodike edhe më parë ka ndihmuar familjet nevojtare në Mitrovicë, ka kërkuar nga Komuna e Mitrovicës, që të përpiloj listën prej 100 familjeve që do të ndihmohen me pako ushqimore dhe 40 të tjera të cilat do të ndihmohen me lëndë djegëse–dru.
“Fëmijë jetim tek ne konsiderohen ata fëmijë që nuk kanë babë. Në kuadër të këtij projekti mund të përfitojnë ndihma fëmijët jetim gjendja e të cilëve është nën mesatare, dhe jo ata që nuk e meritojnë. Prandaj, kërkoj nga ju që të përpiloni një listë me emra të fëmijëve jetim, të cilët vërtet meritojnë të ndihmohen. Zakonisht ne dalim edhe në terren dhe i vizitojmë familjet e tyre”, tha Zatriq.
Kryetari Bahtiri, tha se Komuna do të bëjë përpjekje maksimale që të hartoj listën me emra të personave që vërtet meritojnë të ndihmohen. Ai tha se Komuna, por edhe ai personalisht, është  i interesuar që të ndihmohen ata që vërtet e meritojnë, e jo ndihmat të shkojnë aty ku ka më pak ose nuk ka fare nevojë, si dhe kërkoj  nga zyrtarët e Islamic Relief Ksoova, që të kenë prioritet Komunën e Mitrovicës, për shkak se gjendja më e rëndë sociale është në këtë komunë.
“Ne po mundohemi tu ndihmojmë nevojtarëve brenda mundësive tona, por me këtë buxhet që kemi është e pamundur që t’i plotësojmë të gjitha kërkesat e tyre, që tu dalim në ndihmë të gjithëve, prandaj ju kisha lutur që t’i orientoni ndihmat ndaj qytetarëve tanë, duke përfshirë edhe shqiptarët e veriut, për t’i inkurajuar ata që të qëndrojnë në pronat e tyre. Mitrovica është peng i politikës dhe kjo reflektohet edhe në mirëqenien e qytetarëve, prandaj mendoj se në asnjë komunë nuk ka më shumë nevojë sesa këtu”, tha kryetari Bahtiri.
Të dy palët janë dakorduar për një bashkëpunim të ngushtë me qëllim të ofrimit të ndihmës familjeve nevojtare të kësaj komune.