Një mjek si ky

Rrugëve dhe rrugicave të Drenicës, një kohë të gjatë dëgjoheshin kërcitjet e këpucëve të Dr. Hafir Shala, i cili kalonte nëpër to deri në orët e vona, për tu dalë në ndihmë atyre që ishin nē nevojë. Mua nuk më kujtohet, por lokja (nëna e Hafirit) më ka thënë, se çdo natë ka qëndruar deri në orët e hershme të mëngjesit duke pritur ardhjen e të birit, i cili nuk i përgjigjej asnjëherë me “Jo” kërkesave të nevojtarëve që i mundonin sëmundjet e ndryshme. Dera e doktorr Hafirit ishte e hapur në çdo kohë, dhe askush nuk e kishte dronë e shqetësimit të familjes edhe po të vinte pas mesnatës të kërkonte ndihmë nga ai, nga ato edhe më të voglat. Nuk besojë se ndonjëri nga ta të ketë dëgjuar ndonjëherë se nëna e tij nuk kishte bërë asnjë natë gjumë që nga koha kur i biri i saj filloi profesionin e mjekut, apo se gruaja dhe fëmijët e tij asnjëherë nuk e ndjenë ngrohtësinë e tij pranë tyre. Çdo herë që planifikonte të qëndronte pranë familjes, dëgjohej një trokitje në derën e shtëpisë “A është doktorr Hafiri aty? Na duhet ndihma e tij, kemi një të sëmurë që ka nevojë të mjekohet”. Dhe si zakonisht, gjatë gjithë jetës së tij, nevojtarēt nuk i ngarkonte me blerje të barnave, apo edhe me pagesa për kontrolla mjekësore. Në disa ditë të javës ai udhëtonte për në Prishtinë për furnizim me barna, disa në organizata humanitare, e disa i blinte me të hollat e tij. Nuk dëshironte të ndodhte ndonjë rast ku kishte mungesë barnash dhe pacientët nuk mund të mjekoheshin.
Pasi që ishte aktiv edhe në Lëvizjen për Çlirimin e Kosovës, disa herë ishte burgosur nga forcat serbe të sigurisë. Edhe gjatë kohës sa ishte në burgje, në shtëpinë e tij nuk ndaleshin radhët e atyre që vinin të kërkonin ndihmën e tij. Nevoja për të ishte shumë e madhe. Ai madje nuk mungonte në asnjë rast të pajtimit të xhaqeve në atë kohë.
Me të filluar lufta në Kosovë, doktor Hafiri u aktivizua në pozitën e pjesëtarit dhe mjekut të UÇK-së. Ishte pranë në sulmet e para të saj. Nuk u ndalë së mjekuari personat e plagosur në masakren e Likoshanit. U mundua shumë, dhe ishte pranë familjes Jashari në luftimet me forcat serbe në fillim të Marsit të vitit 1998. Në të gjitha këto, ai ishte mjeku i vetëm. Rrezikonte duke udhëtuar për furnizim me barna në Prishtinë, dhe kthehej nën breshëri plumbash në këto luftime. Kishte parë mjaftë raste tmerruese në masakren e Likoshanit. Kur ishte kthyer në shtëpi nuk mund të hante bukë nga tmerri i përjetuar. Si zakonisht prehjen e gjente tek nëna e tij, duke i’a rrëfyer të gjitha pamjet.
Situata tanimë ishte mjaftë e tensionuar dhe ishte pothuajse e pamundur lëvizja e lirë brenda Drenicës, e sidomos e atyre që merreshin me aktivitete të tilla, si ato te doktorr Hafirit. Mirëpo ai nuk u ndalë asnjëherë. Duke e parë se nevoja për barna ishte shumë e madhe, me gjithë pjestarët e UÇK-së dhe civilët e plagosur, ai prapë gjente rrugë dhe hynte në Prishtinë, ku si zakonisht furnizohej me barna. Dhe, në këtë situatë të tillë, ai vendosi që të përqendrohej më shumë në radhët e UÇK-së, dhe me datën 9 Prill 1998, gjatë takimit të zakonshëm me ata që e bartnin deri në Prishtinë, Dr. Hafir Shala u drejtohet se, “Nesër do jetë dita e fundit kur do shkojë të furnizohem me barna, e pastaj do përqendrohem vetëm në radhët e UÇK-se”. Dikush nga të pranishmit ishte shumë i shkathët në shpërndarjen e informacionit në drejtim të forcave serbe të sigurisë. Ka nga ata që mund të jenë shtirur si shokë besnik të doktorrit, e që e dërguan në pritën serbe. Kur u kthye në shtëpi, ai erdhi tek prindërit e tij dhe i tregoi se çfarë kishte biseduar në takimim me shokët, dhe se vetëm edhe të nesërmen e më nuk do udhëtonte për Prishtinë. Prindërit e kishin kritikuar dhe i kishin thënë se do e dërgonin në duart e forcave serbe. Dhe kështu të nesërmen me datë 10 Prill 1998, herët në mëngjes u përshëndet me familjen dhe bashkë me dy persona tjerë që e shoqëronin gjatë udhëtimit, u nisën me veturë për Prishtinë. Atë ditë doli nga shtëpia dhe nuk u kthye më. Ishin përshëndetjet e tij të fundit me familjen e tij të dashur, që secili nga ta do i kujtojë si shumë të ngrohëta dhe të paharrueshme. Dhe ashtu ndodhi, në fshatin Sllatinë të Fushë Kosovës, forcat policore serbe i dolën në pritë dhe e arrestuan. Dy shoqëruesit e tij me veturën e tyre u liruan, ndërsa doktorri jo. Që nga ajo ditë nuk ka ende informacion se ku mund të ndodhet Dr. Hafir Shala, dhe ende nuk dihet fati i tij. Të gjithë njohin emrin e të dyshuarit kryesor të ketij rasti, dhe njohin edhe emrat e atyre që e shoqëruan gjatë rrugës, e të cilët pastaj u liruan.
Përpjekja e familjes ka qenë gjithmonë e vazhdueshme. Nga kontaktet me autoritetet serbe në Beograd, rastin e tij e quanin si “sekret shtetëror dhe rast politik”. UNMIK-u dhe EU-LEX-i vazhdimisht kishin përgjigje të njejta, “Rasti është nën hetime dhe është shumë i ndishëm, pasi në të ka të përzier figura udhëheqëse në Kosovë!”. Dhe sot, pas 17 viteve, shpresat për fatin e tij janë të njejta, më përpjekje dhe sfida të shumëta për të ditur se ku ndodhet Dr. Hafir Shala.
Në këto 17 vite Prilli për ne ka qenë çdoherë i thyer, dhe çdo ditë e më shumë rrugët dhe rrugicat ku ai kalonte, e ndiejnë mungesën e tij. Ndoshta po të kishin mundësi ato do e vizitonin familjen e tij për t’i dhënë përkrahje, do e vizitonin nënën e tij të sëmurë në shtratë, që dhimbjet për të birin ende e lënë pa gjumë. E sikur të ndodhë, rrugët dhe rrugicat një ditë do vijnë për ta vizituar familjen e tij të lënë anash nga një pjesë e madhe e popullit, që ndoshta hallet e pas luftes, apo edhe lluksi i madh, i kanë bërë të harrojnë ndihmën dhe kontributin e shquar të Dr. Hafir Shala./DrenicaPress/
 Nga Liridon Shala