”Një Komb kundër bërllokut”

​Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” ka filluar përgatitjet për organizimin e aksionit të pastrimit të Kosovës nga mbeturinat i cili do të realizohet me 22 Maj.
Këtë vit aksioni i pastrimit të Kosovës do të bëhet për një ditë me Shqipërinë. Moto e fushatës është “Një Komb kundër bërllokut”.
Organizatorët thonë se edhe këtë vit do të organizohet aksioni për pastrimin e qindra deponive nëpër çdo komunë të Kosovës mirëpo konsiderojmë së pastrimi i këtyre deponive është i pamjaftueshëm pasi që pas një kohe ato po krijohen prapë.
Synimi kryesor i aksionit të këtij viti është pastrimi i brigjeve të rrugëve magjistrale dhe mobilizimi i qytetarëve të vullnetit të mirë për pastrimin e deponive nëpër lagje, fshatra dhe qytete. Përpos organizimit të aksionit të pastrimit të Kosovës në këtë vit synohet krijimi i data bazës së vullnetarëve mjedisor dhe pajisja e tyre me kartelën e vullnetarit, shpërndarja e 200 kontejnerëve dhe vendosja e tyre në brigjet e rrugëve, inicimi i krijimit të komiteteve konsultative për mjedis nëpër të gjitha komunat e Kosovës.
“Fushata do të lansohet me 22 Prill në ditën ndërkombëtare të Tokës ku në bashkëpunim me Green Art Center do të organizohen një varg aktivitetesh dhe do të pasohet gjatë tërë muajit Prill dhe Maj me aktivitete të ndryshme sensibilizuese. Me 22 Prill do të filloi edhe aktiviteti i krijimit të hartës së deponive ilegale në Kosovë, ne ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të na ndihmojnë duke dërguar foto të vendeve me mbeturina në faqen Ta Pastrojmë Kosovën në facebook si dhe përmes aplikacionit i cili mund të shkarkohet falas në telefonat e mençur Iphone dhe Android, aplikacioni quhet trashout, mjafton të keni qasje në internet dhe është shumë e thjeshtë, fotografohet vendi me mbeturina dhe përmes atij aplikacioni dërgohet direkt në hartën e mbeturinave”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Ata kanë ftuar të gjithë qytetarëve të Kosovës, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve dhe institucioneve lokale e qendrore të marrin pjesë në mënyrë sa më masive në fushatë.