Nipi hakmerret për dajën, tre të vdekur

TIRANË – tre persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e një përplasjeje me armë pranë maternitetit të vjetër në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:50 të padites në bulevardin “Zogu i Parë”, pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore.

Një nga viktimat është identifikuar si Mentor Lufi, 41 vjeç nga Bulqiza i dënuar më parë për kanosje, Besnik Sulku dhe Gerti Hoxha gjithashtu me precedentë kriminal. Ndërkohë, policia ka vënë në pranga dy persona si të dyshuarit kryesorë të ngjarjes.

Nuk dihen ende rrethanat e kësaj ngjarjeje tronditëse që ka ndodhur pak metra larg qendrës së Tiranës, por mësohet paraprakisht se ka pasur një shkëmbim zjarri nga dy automjete. Dy automjetet e dy bandave rivale janë përplasur me njëra tjetrën duke përfunduar mbi trotuar.

Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur punën hetimore duke marrë në pyetje edhe personat të cilat kanë qenë aty pranë kur ka ndodhur ngajrja, për të çuar në zbardhjen e identitetit të personave të përfshirë.  Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës një automatik dhe dy pistoleta.