Nga Abdulla Klinaku/ Identiteti kombëtar dhe fetar, pasurim apo kundërshtim

Polarizimi i mendimeve për rolin e identitetit kombëtar dhe fetar te shqiptarët, është duke e zhvesh esencën e mirësisë që kanë shqiptarët duke qenë kombëtar, fetar dhe mirëkuptues për fetë e tjera që ka kombi ynë. Përderisa dijetarët tonë të parë, kanë qenë kombëtar dhe fetar të mirë, kanë qenë mirëkuptues dhe paqedashës, kanë ruajtur kombin dhe kanë kultivuar vlerat më të ndritshme njerëzore, sot disa intelektual deficitar, politikan deficitar dhe media të porositura nxisin fjalor përjashtues, konfliktuoz dhe tendencioz.
Mendimi intelektual dhe politik i atyre që kanë mirëkuptim për identitetin fetar të shqiptarëve, qofshin fetar apo ajo, praktikant apo jo, mysliman apo krishterë, gjithherë ka qenë mendim shumë më mirëkuptues, tolerant dhe vlerësues. Ndërsa mendimi intelektual dhe politik i atyre që mohojnë identitetin fetar të kombit tonë, çdo ditë e më shumë është duke nxit urrejtjen ndërfetare, fjalorin përçarës dhe polarizimin e grupeve sociale në shoqërinë tonë. Shoqëria jonë ka nevojë për një mendim, që pranon, mirëkupton dhe admiron vlerat fetare të kombit tonë. Mendim që nxit paqen, mirëkuptimin dhe dialogun me synim të fuqizimit të shtetit tonë përmes vlerave të tij fetare, tolerante dhe paqedashëse.
Të vërtetat historike duhet të zbulohen, të artikulohen qartë dhe të na bëjnë krenar për kombin tonë shqiptar, për identitetin tonë fetar dhe për tolerancën që kanë kultivuar mendimtarët tonë. Nuk është turp por krenari për gjithë kombin, fetar e jo fetar, konservator e liberal, mysliman e të krishterë, fakti që deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë (1912), nuk e deklaruan politikanët për pa marr mendimin ( Fetvan ) e Hoxhës, përkatësisht Haxhi Vehbi Dibrës. Nuk është turp por është krenari me deklarua dhe me qenë publike se udhëheqësi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), Haxhi Ymer Prizreni, ishte intelektual fetar dhe konferencën e zhvilloj në Xhaminë “Bajrakli”. I përmenda vetëm dy momente të rëndësisë së veçantë për kombin shqiptar, madje që të dy këto momente kanë qenë momentet më të rëndësishme për formësimin e kombit dhe shtetit shqiptar e në krye të tyre ishin intelektualët fetar ( mysliman e të krishterë) të pasuar edhe nga intelektual laik që mirëkuptuan dhe vlerësuan vlerat fetare të prijësve të tyre.
Duke ju referuar një vëzhgimi të shkurt të kaluarës sonë, mendoj që populli shqiptar gjatë historisë ka pas nacionalistë e njerëz që kanë synuar fuqizimin e kombit, por mbi baza të ndryshme dhe me rezultate të ndryshme;
Të parët kanë qenë nacionalistët që kanë punua natë dhe ditë për kombin dhe tokën shqiptare, janë sakrifikuar dhe kanë derdhë gjakun e tyre për të ndërtuar shtetin shqiptar dhe për të forcuar identitetin kombëtar. Por tërë këtë aktivitet e kanë bërë duke u betuar dhe duke pas qëllim Zotin e Madhërishëm. Të tillët luftuan dhe punuan gjithë kohën në Emër të Zotit në të mirë të kombit dhe të atdheut. Kanë qenë shumë lëvizje të tilla kombëtare; organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shpallësit e pavarësisë së Shqipërisë, Balli Kombëtar, Komitetit i fshehtë dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, e Hoxhë Kadri Prishtinës, Komitetit i zgjimit dhe i besës shqiptare, e shumë organizata të tjera kombëtare.
Të dytët kanë qenë nacionalistët që kanë punuar për atdheun, janë përpjek dhe në fund kanë shkuar prej sistemit, të sharë e të fyer dhe me përgjegjësi. Me përgjegjësi sepse e izoluan vendin nga bota dhe e izoluan shpirtin nga Zoti. Të tillët kanë qenë ata që e gjithë jeta, kontributi madje edhe vdekja e tyre kanë qenë në emër të komunizimit, leninizmit, stalinizmi, enverizmit e titizmit. E gjithë këta bashkë me baballarët e tyre, kanë përfunduar dhe askush si do veq atyre që kanë qenë marioneta të pushtetit e të cilët ndjejn nostalgji për të kaluarën.
Dhe sot, deri sa lloji i parë i nacionalistëve është duke punuar, vyer dhe zhvilluar idetë dhe punët në të mirë të kombit, pasardhësit e llojit të dytë janë shndërruar në liberalista e globalista por prapë duke vazhduar me trashëgimin dhe metodën komuniste kundër fesë dhe binomit Komb-Fe. Kjo kategori e intelektualëve, mendimtarëve dhe politikajve, janë duke u thirr në ruajtjen e kombit dhe duke vazhduar me luftën e tyre kundër fesë dhe identitetit fetar të kombit tonë. Për këtë kategori një përgjigjje të bukur, të vlefshme edhe për sot e jep Haxhi Ali Elbasani, Kryetar i Komitetit të zgjimit dhe besës shqiptare, i cili thotë “detyrë e myslimanëve është dashuria kombëtare dhe dashuria për fenë, por të ruhemi se fatkeqësisht, shpeshherë, pas perdes së dashurisë për kombin, kërkohet të ngjallen gjëra që e dëmtojnë atë”
E ardhmja stabile e popullit dhe vendit tonë është mbi trinomin Komb- Fe – Integrim, dhe çdo kush që përpjeket të cenoj njërën nga to, ka cenuar interesat madhore të kombit tonë.