Neue Zürcher Zeitung: Shoqëria kosovare, e infiltruar nga krimi i organizuar

Gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» shkruan mbi dështimin e Misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë. Gjashtë vjet pas stacionimit në Kosovë rezultatet e Misionit të BE-së janë modeste.
Pavarësisht shpenzimeve të mëdha dhe personelit të shumtë nuk vërehet përmirësimi i dukshëm i shtetit të së drejtës, shkruan gazeta e njohur zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» (NZZ) në një tekst të gjatë. Diplomati italian, Gabriele Meucci, i cili që nga tetori drejton Misionin e BE-së, ankohet se EULEX-i në Kosovë «nuk ka miq».
Ai thekson se kundër EULEX-it po zhvillohet një luftë shtrigash dhe supozon se ka shumë njerëz që janë të interesuar që akuzat për korrupsion brenda EULEX-it të skandalizohen sa më shumë. «Kjo shoqëri është e infiltruar nga krimi i organizuar», thotë ai.
NZZ-ja përkujton se zyrtarë të EULEX-it kishin ngjallur shpresa jorealiste kur kishin premtuar arrestimin e «peshqve të mëdhenj».
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i deklaroi NZZ-së se prokurorët e EULEX-it, të cilët janë përgjegjës për rastet e rënda, nuk janë më të mirë se prokurorët vendorë.
Ata ngurrojnë të fillojnë procedura penale kundër politikanëve të nivelit të lartë. Kështu, çështjet juridike menjëherë shndërrohen në problem politik.