Nesër takohen liderët e Maqedonisë

Katër liderët e partive më të mëdha në vend, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi do të mblidhen përsëri nesër për të zhvilluar një raund të ri bisedimesh për gjetjen e një zgjidhje për krizën që ka përfshirë vendin transmeton Alsat.

Ky takim është i treti, pas dy të parëve pa asnjë marrëveshje mes liderëve, si dhe takimit tjetër, që u mbajt në Strazburg, vetëm me krerët e VMRO dhe LSDM. As nga ky takim ku morën pjesë edhe tre deputetë të Parlamentit evropian, nuk pati ndonjë rezultat konkret. Në takimet e zhvilluara në Shkup, përveç katër liderëve, të pranishëm, kanë qenë edhe ambasadorët e SHBA-së dhe të BE-së, Xhes Bejli dhe Aivo Orav.

Kërkesa kryesore e liderit të opozitës Zoran Zaev është dorëheqja e Qeverisë dhe e vetë kryeministrit Nikolla Gruevski, kryeprokurorit Marko Zvërlevski dhe drejtorit të radiotelevizionit të Maqedonisë, si dhe formimi i një Qeverie kalimtare me mandat për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Por, Gruevski ka refuzuar deri tani dorëheqjen e tij dhe formimin e Qeverisë kalimtare, ndërsa njoftohet se është shprehur i gatshëm të bisedojë për të gjitha çështjet e tjera teknike dhe vërejtjet që opozita ka për proceset e kaluara zgjedhor.