Në vitin 2050 çdo i katërti punonjës në botë do të jetë afrikan

Forumi dy ditor rajonal i Afrikës për Zhvillim të Qëndrueshëm i organizuar nga OKB-ja, me pjesëmarrjen e shumë ministrave dhe specialistëve afrikanë ka filluar në kryeqytetin e Etiopisë, Adis Abeba, raporton Anadolu Agency (AA).

Në forum diskutohen arritjet e fundit në kontinent në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm si dhe hapat të cilat duhet të merren.

Sekretarja ekzekutive e Komisionit Ekonomik për Afrikën në OKB, Vera Songwe, në fjalimin e saj në hapje, tha se qëllimi i këtij forumi është të zbulohen hapat dhe projektet që duhet të zbatohen për sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm.

Songwe, gjithashtu theksoi se në mbledhje do të trajtohen edhe çështjet siç janë pabarazia dhe papunësia që rritet në kontinent.

Papunësia problem i madh

Ndërkohë, pjesëmarrëve iu shpërndanë edhe raportet e përgatitura nga OKB-ja në lidhje me Afrikën.

Në raport thuhet se një ndër problemet më të mëdha me të cilën do të përballet kontinenti afrikan është papunësia.

Më tej thuhet paralelisht me popullsinë do të rritet edhe papunësia ndërsa 60 përqind e popullsisë nga viti 2050 do të jetë në moshën e punës dhe në vitin 2050 çdo i katërti punonjës në botë do të jetë afrikan.

Në 10 vitet e ardhshme Afrika duhet të formojë një zonë të re punësimi për 110 milionë persona. Në 10 vitet e fundit janë hapur zona punësimi vetëm për 37 milionë persona.