Në një operacion të përbashkët të IPK-së dhe PK-së arrestohet një zyrtar policor i dyshuar

Si pjesë e një hetimi të përbashkët të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Policisë së Kosovës dje (01.04.2015) është realizuar urdhëresa e Gjykatës Themelore të Ferizajt ku është kryer një bastisje në fshatin Kaçanik  i Vjetër të rajonit të Ferizajt.
Me këtë rast janë bastisur shtëpia dhe objekte përcjellëse të të dyshuarit (zyrtar policor që ka qenë duke shërbyer në stacionin policor të Shtërpcës) nga ku janë konfiskuar dëshmi të ndryshme materiale si: tri radiolidhje (të cilat dyshohet se janë mbajtur pa autorizim) si dhe dokumente të ndryshme.
 Personi i dyshuar është intervistuar dhe me vendim të prokurorit kompetent të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale: zbulimi i fshehtësisë zyrtare, keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtarë dhe marrje e ryshfetit.
IPK garanton qytetarët e vendit dhe institucionet se do të vazhdojë të bashkëpunojë me çdo institucion të zbatimit të ligjit në Kosovë dhe do të kontribuojë në profesionalizmin, humanizmin, objektivitetin dhe llogaridhënien edhe më të madhe të policisë sonë, si një ndër policitë më të mira në rajon.