Në mes paradoksesh!

OPINION NGA TAULANT SELMANI /  Çudia më e madhe zgjat tri ditë! Kështu thotë populli, por si duket kohët kanë ndryshuar, sa që këtu çudia zgjat sa vet jeta. Të mbërthyer me paradokse, të ngulfatur nga absurditetet dhe të rrjepur me arsyen e të jetuarit, ne lundrojmë në lumin e turbulluar të quajtur jetë, me varkën e thyer të quajtur shpresë dhe me mitin e ‘kepit të shpresës së mirë’! Çdo hap që bëjmë na molis nga realiteti, duke jetuar në prangat e hutisë dhe duke shijuar burgun e mjerimit, duke u ndeshur me valët e trazuara si pasojë e një erë të fortë, të pamëshirshme, të quajtur realitet.

Ajo që dëgjon orë e çast nga goja e qytetarëve është ankim, frikë e mallkim, drejtuar udhëheqësive tona, sipas të cilëve, gjendja e rënduar me të cilën po jetojnë është si ‘dhuratë’ nga vendimet e këtyre të fundit.

 Çfarë të çudit këtu?!

Çuditësh derisa sheh aq shume kolegje e universitete, ndërsa pak dije, aq shumw studentë e aq pak njerëzi! Të çudit fakti që ka shumë diploma e pak mësim, shumë mjekë pak shëndet, shumë arkitektë e ingjinierë, ndërkaq kaos urbanistik gjithandej. Ka shumë libra, por pak lexohet. Nuk ka para, por në çdo cep ka lokale e kafene, të mbushura plot.

 Nga ana tjetër, pothuajse në secilën familje ka nga një jurist të diplomuar, ndërkaq bëhen padrejtësi të mëdha gjithkund, apo pothuajse në secilën familje ka një ekonomist me diplomë, ndërsa rangohemi në vendët e fundit për nga zhvillimi ekonomik!

Derisa bota e zhvilluar po mundohet të bëjë sa më shumë hapsira të gjelbruara, besa edhe shkretëtirat po i bëjnë toka pjellore, ne betonizojmë çdo cep, presim drunjët, ngrohemi nga ta dhe përsëri i bëjmë dëm ambientit duke e ndotur me tym të zi që del nga oxhaqet e secilit prej nesh.

Të çudit edhe fakti, se këtu edhe sportisti shkon në stërvitje me makinë. Çuditesh kur sheh gjithë ata pseudoanalistë. Çuditesh me faktin se shëndetësia menaxhohet nga të paaftë, ndërsa me shkolla bëhet biznes. Çuditesh gjithashtu edhe me faktin se një provim në fakultet mund ta kalosh, po kalove një natë me profesorin (për studentet femra).

Çuditësh deri sa sheh se këtu fëmija lind fëmijë. Edhe më shumë çuditësh derisa sheh aq shumë prindër të papërgjegjshëm, që nuk e meritojnë të jënë prindër dhe të dhemb fakti që shumë fëmijë nuk e meritojnë të kenë të tillë prindër.

Paradoksi më i madh është se të gjithë vrapojnë e ngutën, janë vonë, nuk kanë kohë, por në fakt nuk bëjnë asgjë!

 
Loading...