Në ditët e ardhshme na pret një mot i ftohtë me të reshura të shiut dhe të borës

Nga dita e diel fillon një fazë e përkeqësimi të motit, ku nesër pritet mot me të reshura shiu, që vende-vende dhe kohëpaskohe mund të jenë më intenzive. Nëpër lokalitete përgjatë rrjedhave të lumenjëve më të mëdhenj ka mundësi edhe për vërshime.

Era do të fryejë nga juglindja 4-9m/s, e në mbrëmje do të fryejë veriu 2-4m/s. Gjatë natës reshjet e shiut pritet të përzihen edhe me borë. Temperaturat maksimale të dielen do të zbresin në 8C.

Të hënën masat e ftohta ajrore do të depërtojnë më tutje, dhe të reshurat pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës së hënë dhe të martë. Në orët e hershme të mëngjesit dhe gjatë natës do të ketë edhe reshje bore. Temperaturat të hënën e të martën do të zbresin në 4C deri 5C, e minimalet në 0C deri 2C. Era do të fryejë nga veriperëndimi 3-10m/s.

Nga dita e mërkurë do të mbajë mot kryesisht me vransira, por edhe me intervale me diell, e vende-vende priten edhe reshje të dobëta shiu, e gjatë orëve të mëngjesit edhe reshje bore. Temperaturat do të jenë në ngritje të lehtë në 7C deri 10C, e ato minimale do të zbresin deri në -1C. Era do të fryejë kryesisht nga veriu 4-9m/s.
Shtypja atmosferike deri të hënën do të jetë në zbritje në 1007mb, e më pas në ngritje edhe mbi 1020mb.