Ndahet nga jeta lideri i “Djemve të Detit”, Gent Demaliaj

Është ndarë ditën e djeshme nga jeta solisti i grupit “Djemtë e Detit”. Gent Demaliaj, djali tekstet e këngëve të së cilit janë kaq të ngulitura në memorien dhe kujtesën e publikut shqiptar u largua sot nga kjo jetë në moshën 40-vjeçare. Shumë i ri, por mjaftueshëm për të na lënë një thesar të tërë në muzikën shqiptare rock. Ata që e njohën e dinë që ishte një djalë modest, që përtej gjithë famës që kishte, ulte sërish kokën dhe punonte. Sot, të gjithë ata që e donin atë dhe muzikën e tij, me siguri do të mblidhen t’i dhurojnë duartrokitjet e fundit në homazhet që do të zhvillohen për të në orën, 12.30 në ambientet e RTSH-së, pak para se të përcillet për në banesën e fundit rreth orës 14.00.

Mes gjithë miqve dhe dashamirësve që ngushëllonin në rrjetet sociale, “Shekulli” kontaktoi me dy nga ikonat e rrokut shqiptar, Aleksandër Gjokën dhe Redon Makashin, dy kolegë të mirë të Gentit, dy kolegë që e njihnin edhe përtej prapaskenave. Ja se çfarë thonë këta dy artistë për humbjen e mikut të tyre, Gentit.

Aleksandër Gjoka

Më vjen të them se nuk kam asnjë fjalë për këtë humbje, por si të mos flas për një legjendë të tillë. E kam njohur, madje edhe shumë mirë. Kemi qenë bashkë në koncerte, spektakle, festivale e madje, edhe në mitingje politike. Kemi qenë bashkë, sepse muzika që bënim rrinte mirë bashkë. E njihja atë më së miri. E njihja familjarisht. Babanë e tij kush nuk e njeh, një njeri i shkëlqyer, që e rriti Gentin edhe në skenë. Kohët e fundit e kam vizituar. E dija që ishte sëmurë dhe në fakt këtë lajm të hidhur edhe pse pritej, nuk e kapërdijmë dot. Sepse skenës i iku një njeri i shkëlqyer, modest dhe plot respekt, një njeri që i ka merituar duartrokitjet në çdo dalje të tij.

Genti jetoi një jetë të vështirë. Kohët e fundit luftonte kundër një sëmundjeje të tmerrshme. Pak më herët kishte humbur babanë, ndërsa djemtë e grupit, për shkak të të gjitha rrethanave, që e mbysin çdo ditë jetën në Shqipëri u larguan në vende të tjera. Emigracioni i largoi miqtë e tij më të mirë. E kështu bashkë me to iku edhe një alternativë e mirë për të bërë muzikë rock, një muzikë që dinin vetëm ata ta sillnin. Kështu u shkëput Genti nga muzika. Por, muzika që na ka lënë ai, mua, brezave të tjerë, të rinjve, përfshirë këtu edhe vajzën e tij është gjithmonë këtu.

Ishte një djalë i shkëlqyer që iku shpejt nga jeta, por që la gjurmë të mira. Çdo artist për këtë përpiqet. Të gjithë e dimë që do të vdesim një ditë, por më të mirët janë ata që lënë diçka për t’u kujtuar, edhe për shumë kohë pas largimit të tyre fizik. Gent Demaliaj ka ikur vetëm fizikisht, pasi muzika e tij që ka çerek shekulli që dëgjohet do të vazhdojë të dëgjohet edhe për shumë kohë të tjera.

Redon Makashi

Me Gentin kam qenë shpesh nëpër aktivitete dhe koncerte. Ishte rryma dhe rrugëtimi që kemi bërë në skenë ai që na bashkonte. E donim muzikën rock dhe Genti bashkë me “Djemtë e Detit”, pasi ai nuk ishte vetëm, është një nga legjendat e muzikës rock në Shqipëri. E njoh shumë mirë. Ishte një djalë fantastik që u nda nga jeta shumë shpejt. Genti nuk ishte krenar, nuk i tundte çmimet që merrte në ajër plot krenari, por zhytej në punë, në studio, për të sjellë këngë të reja edhe më të bukura.

Në koncertet ku kemi kënduar bashkë, kurrë nuk është lëvduar, por modestish ka dashur të japë gjithnjë shumë e më shumë. Ishte një djalë modest, që për një arsye apo për një tjetër u ligështua në këtë jetë. Babai i tij, për një kohë shumë të gjatë ishte kthyer për të dhe për muzikën që ai bënte një menaxher i vërtetë. Ata që e njihnin Gentin, njihnin edhe babanë e tij.

Shkëputja e parë e tij nga muzika erdhi kur emigracioni shpërbëu djemtë e grupit. Ndërsa një tronditje e madhe për të ka qenë edhe humbja e të atit. Ai dhe djemtë e grupit do ta kishin më të vështirë të ishin pjesë e koncerteve në vend. Humbja e babait për Gentin ka qenë vërtet e rënd. Ai e kishte atë prind dhe mik, menaxher dhe kritik, ashtu sikurse edhe ai u bë për vajzën e tij.

Përpara se të ikte nga kjo botë luftoi shumë. Ishte sëmurë. Por, nuk u dorëzua. Ishte gjithnjë gati për miqtë e tij, për të kënduar dhe për të shkruar. Është vërtet e dhimbshme për mua dhe për të gjithë miqtë që e kanë njohur. Duhet të rrinte edhe më gjatë me ne këtu fizikisht. Sepse ai ka ikur vetëm fizikisht. Genti do të jetojë gjatë në zemrat e publikut shqiptar. Muzika e tij dëgjohet për më shumë se 25 vjet, por edhe më shumë do të dëgjohet. Janë rock-u i parë shqiptar, edhe një artist aq i sinqertë dhe modest sa ai do të jetojë gjithnjë përmes artit të tij.

Gentian Demaliaj: Vajza Edea, pika ime e dobët

Në vitin 1989 në qytetin e Lezhës u krijua një grup rroku shqiptar, i cili më vonë do të krijonte këngë hite, pasqyrë të jetës, ëndrrave edhe ngjarjeve që të gjithë përjetuam gjatë viteve të fundit. Fitues të disa çmimeve, por mbi të gjitha fitues të zemrave të publikut. Në intervistën e fundit të dhënë për “Jo vetëm modë”, lideri i grupit Gentian Demaliaj, ka rrëfyer momentet më të bukura të karrierës së tij.“Djemtë e Detit” konsiderohet padyshim, si rrok-banda e 20 viteve të fundit, e cila shënoi me daljen në skenë jo vetëm risi në mentalitetin e muzikës shqiptare, por edhe synoi nëpërmjet teksteve të këngës, ndërgjegjësimin e fatit të një brezi të tërë të rinjsh, të rendur pas perëndimit, edhe ëndrrave të parealizuara. Edhe pse tashmë të shpërbërë, “Djemtë e Detit”, edhe himnet e tyre, mbeten të pavdekshme në kujtesën e atyre brezave. Gentian Demaliaj, asokohe ishte vetëm 17 vjeç. Ai ishte personazhi emblematik i grupit, vula, e shumë këngëve, që pa tekstet e tij nuk do të kishin kurrë një sukses të tillë.

Kontaktet e para me muzikën

Kaseta e parë që më ka rënë në dorë ka qenë në vitin 1981, dhe për çudi të Zotit ka qenë Majkëll Xhekson. Ndoshta edhe nga pozita gjeografike e qytetit të Lezhës dëgjonim muzikë. Këndonim me zë të ultë, me frikë shumë të madhe, sepse 2-3 herë na thirrën edhe në polici, si njerëz kundër regjimit, por na shijonte. Ajo na shijonte edhe më tepër se dukej si diçka e fshehtë, sepse dukej sikur po bëje një krim, por krimi më i rëndë ishte thjesht, dëshirë që kishe për të bërë muzikë. U thye një tabu e Festivalit, e formatit në kornizë, se nuk duhet që të dilnim jashtë grafikës. Duhet që të ishim stoikë, të drejtpërdrejtë, nuk ka cepa anash, por ishte diçka krejt tjetër, ishte një lloj kënaqësie, e ndieje vetën në një skenë për herë të parë, në një festival që t’i e shikoje qysh fëmijë, të dukej sikur arrite të realizoje një ëndërr, që iu ngjite edhe kësaj skene.

Si bijë detarësh të rrahur me tallazin e jetës, frekuentuat edhe disa herë rajonet e policisë, por kjo ju bëri edhe më të vendosur me aktin tuaj drejt lirisë muzikore… Thoshin që turp djali i filanit”, që vjen me xhinse të grisura në shkollë, ndërkohë që ai ishte shef i Bazës së Marinës. Ndoshta “Djemtë e Detit”, lidhen edhe me statusin e familjes, përveç shumë gjërave, pozitës gjeografike etj., etj., por kemi patur debat, sepse 2-3 herë babai më ka nxjerr edhe nga rajoni i Policisë. Stadi tjetër ishte që të vazhdoja me një muzikë akoma më progresive, më rrok akoma, që më pëlqente, kjo ishte edhe dashuria e parë. Ndoshta edhe për kostumin muzikor që kisha vendosur që të mbaja. Ishte diçka shpirtërore, si dashuri me shikim të parë.

“Mos qaj”, hiti i tyre

“Mos qaj” erdhi si produkt i temave sociale që pati rina në vitin 1995-96, droga ishte kthyer si një lloj fenomeni që vinte diku nga bota jashtë, edhe në formën e një problemi madhor për shumë njerëz, por që dukej si trend. Prandaj edhe fundi i këngës mbaronte me “Mos qaj për vdekjen o njeri”, sepse në fund të të fundit, është ai impakti që të merr në fund, pas fajit.

Në Pallatin e Kongreseve vihet në skenë muzikali “Romeo dhe Zhuljeta”, një ftesë të cilën Genti, nuk kishte se si ta refuzonte. Tibalti i luajtur prej tij, do të ishte impresionues. Në vitin 2008 Genti do të luante sërish përkrah Elsa Lilës, në muzikalin “Molin Rouge” më pas me Juliana Pashën etj.

Ishte hera e parë që merrja pjesë në një muzikal, edhe më dukej vetja i plotësuar në faktin që ndihmoi edhe drama, te “Romeo e Xhuljet”, e ndjeva veten si në shtëpinë time.

Vajza Edea, pika e dobët e Gentit

Edea është një fëmijë që më kujton fëmijërinë time, por ajo është një nxënëse shumë e mirë, kurse unë nuk kam qenë i dhënë pas mësimeve. Atë dëshirë kam edhe unë. Prift nuk jam (qesh). Unë di që ta vesh edhe rrobën e prindit, por në radhë të parë jemi shok.

Arritjet e grupit

Grupi “Djemtë e Detit” u krijua në vitin 1989 në qytetin e Lezhës, nga edhe ishin djemtë e këtij grupi. Do të mjaftonte vetëm dy vjet që ata të shfaqeshin në Festivalin e RTSH-së me këngën “Ëndrrat që për ty i thura”, një këngë që dëgjohet ende sot. Kjo i solli “Djemve të detit” çmimin e dytë në këtë festival. Teksti i këngës ishte nga Gent Demaliaj, ndërsa muzika e B.Dacit. Katër vjet më vonë do të ngjiteshin sërish në skenë për të tërhequr çmimin e dytë në Festivalin e parë të Rock-ut shqiptar, pasi çmimin e parë do ta merrnin dy vite më vonë, kur do të organizohej viti i dytë i këtij festivali. Po në 1996-ën, “Djemtë e Detit” fitojnë një çmim special në Festivalin e RTSH-së, “Për përpunimin e këngës popullore etno-rock me
këngën ‘Balade për Jakup Ferrin’. Një vit më vonë po në këtë festival do të shpallen “Interpretuesi dhe grupi më i mirë” me këngën “Mos qaj”. Teksti edhe këtë herë do të ishte nga Gent Demaliaj.

Pa mbushur ende dhjetë vjet në skenë, “Djemtë e Detit” vendosin që në 1997-ën të hedhin në treg albumin e tyre të parë “Izolimi vdes”. Albumi ka rezultuar shumë i suksesshëm dhe vazhdon të shitet dhe sot e kësaj dite. Në Festivalin e RTSH-së në 1998-ën fitojnë dy çmime: “Interpretuesi më i mire”, si dhe çmimin “Kënga më e mirë” akorduar nga Ministria e Kulturës. Ishte kënga “Kohë pa ty”, tekstin e së cilës e kishte shkruar sërish Gent Demaliaj, ndërsa për muzikën dhe orkestrimin ishte kujdesur miku i tij Valentin Markvukaj. Në vitin 2002, në festivalin “Mikrofoni i artë” edicioni i parë, me këngën “Jo tani”, ata do të triumfonin sërish. Testi nga Gent Demaliaj dhe muzika nga Valentin Markvukaj do të bëheshin të pavdekshme që prej asaj dite.

Pas kësaj djemtë u tërhoqën të punonin në studio. Vitet 2007 e 2008 mjaftuan për të përfunduar albumin e tyre të dytë “Epos”. E megjithatë, albumi doli në treg në 14 mars të 2009-ës. Edhe pse më shumë se 20 vjet në skenë, ata na lanë vetëm dy albume. Por të dyja këto të mbushura me hite, me këngë që do të mbajnë gjallë kujtimin dhe shpirtin e këtij grupi, pjesë e së cilës ishte edhe Gent Demaliaj, solisti dhe tekstshkruesi i thuajse të gjitha këngëve, që u kthyen në hite e që dëgjohen ende sot pas 20 vjetësh.

Elton Deda

Një mik i shtrenjtë i gjeneratës së rock-ut shkoi sot pranë engjëjve. Lamtumirë Gent Demaliaj! Nuk po di çfarë të shkruaj më, jam pa fjalë…

Aurela Gaçe

I paharruar qofsh për familjen, miqtë dhe gjithë fansat e t’u. Luftove gjatë kundër sëmundjes, por tani shpirti yt u prehtë në paqe e të qoftë dheu i lehtë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes!

Renis Gjoka

Lamtumirë Gent Demaliaj! Mik i çdo shqiptari. Frymëzim i çdo artisti të brezave më të rinj. Prehu në paqe Legjendë.

Besa

E kontaktuar nga “Shekulli” edhe këngëtarja Besa, një mike e mirë e tij na thotë e prekur nga ky lajm: “U prehsh në paqe i dashur mik! Ishe një artist i jashtëzakonshëm, një zemërluan! Gjithnjë i fisëm e pozitiv, një artist nga ata të rrallët! Trashëgimia jote artistike nuk do të shuhet kurrë. Sot është një ditë e trishtë për artin shqiptar. Ngushëllimet më të ndjera familjes!”

Bledar Sejko

Kitaristi shqiptar, ai që së bashku me Gent Demaliaj janë ngjitur në skenë për të bërë rrok, i pyetur nga “Shekulli” rrëfen se rrokut shqiptar iu fik një yll. “Për mua personalisht ka qenë privilegj që kemi qenë të dy bashkudhëtarë të rrokut dhe të muzikës së vërtetë shqiptare. Iku një vokal që do t’i mungojë shumë Shqipërisë. Dhe iku një mik i shkëlqyer i të gjithëve ne, që patëm privilegjin ta kishim mik”, tha Bledar Sejko.

Klevis Bega

Klevis Bega, i njohur në art si Kastro Zizo ishte një nga ata djemtë rebelë, që i ka ndjekur pa fund “Djemtë e Detit”. Sigurisht në këtë moment ku këngët prekin një brez të tërë, edhe ai do të reagonte. “U prehsh në paqe Genti Demaliaj! Një humbje e madhe për muzikën shqiptare. Nuk do t’i harroj kurrë të qeshurat pa fund që bënim. U prehsh në paqe, miku im”, shkruan Klevis Bega për këtë humbje të muzikës shqiptare.

 
Loading...