Myftaraj kallëzon Ballist Morinën për terrorizëm e nxitje lufte

Kastriot Myftaraj ka dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal ndaj Ismail Morinaj, i njohur ndryshe si Ballist Morina, për shkak të dronit që ai lëshoi në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri.
Në padinë e tij, Myftaraj e akuzon Morinën për “Vepra me qëllime terroriste” si dhe “Provokim të luftës”. Kallëzimin e tij Kastriot Myftaraj e ka bërë publik edhe në faqen e tij në Facebook.
Kallëzimi i plotë i Myftarajt për Ballist Morinën
KALLZIM PENAL
Kallzues: Kastriot Myftaraj, i dtl. 1966, vendlindja Korçë, vendbanimi Tiranë
I kallzuar: Ismail Morinaj (Ballist Morina), i biri i Xhemalit dhe Hyrijes, i dtl. 30 shtator 1982, vendlindja Shikaj Kukës, vendbanimi Tiranë
Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë
OBJEKTI:
Kallzimi penal konsiston në këto vepra penale:
1) “Vepra me qëllime terroriste”, parashikuar nga Neni 230 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
2) )“Provokimi i luftës”, e parashikuar nga neni 211 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
“Poshtërimi botërisht i Republikës dhe i simboleve të saj”, parashikuar nga neni 268 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
BAZA LIGJORE:
Nenet 6, 211, 230, 268 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë
Nenet 280, 283 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë
ÇËSHTJA PËR TË CILËN BËHET KALLZIMI:
Shtetasi shqiptar Ismail Morinaj e ka pohuar tashmë shumë herë publikisht se është ai autori i dërgimit të dronit me një banner me simbole kombëtare shqiptare dhe një hartë të ashtuquajtur të Shqipërisë etnike, në stadiumin “Partizani” të Beogradit, në 14 tetor 2014, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri. Autoritetet përkatëse të Serbisë, Policia shtetërore dhe Prokuroria shtetërore kanë bërë me dije publikisht se do të lëshojnë urdhër arresti ndërkombëtar për Ismail Morinajn por deri më sot, rreth gjashtë muaj pas ngjarjes, kjo gjë çuditërisht nuk ka ndodhur.
Nga analiza e pamjeve televizive të ndeshjes rezulton se Gjyqtari britanik e ndërpreu lojën, kur kishin kaluar 41 minuta e 12 sekonda nga ndeshja. për shkak të hedhjes së përsëritur të objekteve piroteknike në fushë nga tifozët serbë. Saktësisht 41 sekonda pas ndërprerjes së lojës u shfaq droni mbi stadium. Kjo do të thotë se ai që ka nisur dronin e ka bërë këtë gjë pas ndërprerjes së lojës nga gjyqtari. Ai që e lëshoi dronin në këtë moment, me siguri që ishte duke e ndjekur ndeshjen dhe e ka lëshuar dronin pikërisht në këtë moment, kur u duk qartë se gjyqtari ishte i detyruar të ndërpriste jo më lojën, gjë të cilën e kishte bërë disa herë, por ndeshjen, për shkak të hedhjes së përsëritur të lëndëve piroteknike në fushë. Jo thjesht lojën, por ndeshjen. Se ka një ndryshim mes ndërprerjes së lojës dhe ndërprerjes së ndeshjes. Kjo do të ishte në dëm të Serbisë, se në stadium kishte vetëm tifozë serbë në tribunat prej nga hidheshin objekte piroteknike. Të vetmit shqiptarë në stadium, përve lojtarëve në fushë, qenë ata të delegacionit të FSHF, të cilët gjendeshin në tribunën qendrore, të mbikqyrur rreptë nga policët serbë. Asnjë prej tyre nuk është fajësuar për hedhje të objekteve piroteknike në fushë.
Vetë Ismail Morinaj pretendon se e ka lëshuar dronin nga një Kishë pranë stadiumit. Largësia në vijë të drejtë nga Kisha te stadiumi është dyzet metra. Kjo do të thotë se, në çdo rast, dronit nuk i janë dashur më tepër se njëzet sekonda për t’ u ngritur në njëfarë lartësie dhe për të arritur mbi stadium. Është e qartë se droni është nisur pas ndërprerjes së lojës nga gjyqtari, pra pas minutës së 41: 12 sekonda të ndeshjes. Duke qenë se shpejtësia maksimale e këtij lloj droni është 20 metra në sekondë, kjo kohë ishte mëse e mjaftueshme që ai të nisej për të arritur në stadium pikërisht atëherë kur arriti pas ndërprerjes së lojës nga gjyqtari. Autori i lëshimit të dronit nuk mund të mos e dinte se dërgimi i dronit në stadium në këto momente ishte vetëm në interes të Serbisë.
Autoritetet përkatëse serbe janë duke shfaqur një mungesë interesi të çuditshme për të zbuluar të vërtetën në hetimin që kanë nisur për dronin. Madje nuk kanë kryer as veprimet më të thjeshta hetimore. Ndonëse autoritetet serbe kanë thënë se do të lëshojnë një urdhër arresti ndërkombëtar për Ismail Morinajn, i cili fshihet në Shqipëri një gjë të tillë nuk e kanë bërë ende dhe sot pas gjashtë muajve. Emri i Ismail Morinajt nuk figuron në listën e të kërkuarve nga Interpoli, të publikuar prej tij. Duket qartë se autoritetet serbe duan ta përdorin emrin e Morinajt, si autor të dërgimit të dronit, por jo të kenë të bëjnë drejtpërdrejt me Morinajn. Prokuroria Shtetërore e Beogradit, e cila dha urdhër për kontrollin fizik të lojtarëve shqiptarë, duke i trajtuar ata si kriminelë nuk lëshoi urdhër arresti ndërkombëtar në ngarkim të atij që ka marrë përsipër publikisht dërgimin e dronit në stadiumin e Beogradit? Merret vesh, Ismail Morina është bashkëpunëtor i shërbimeve të fshehta serbe. Vetë Kryeministri i Serbisë Vuçiç tha pas ndeshjes se tre orë para nisjes së ndeshjes së mbrëmshme mes Serbisë dhe Shqipërisë, ai personalisht u kishte thënë zyrtarëve të Bashkimit Europian, se ishte duke u përgatitur një provokim dhe një incident i rëndë nga ana e shqiptarëve me rastin e ndeshjes. Tashmë, kur është e qartë mosdashja e autoriteteve serbe për të arrestuar Morinajn, kuptohet se këto informata Kryeministri i Serbisë i ka pasur nga vartësit e tij që punonin me Morinajn.
Ndonëse si Presidenti ashtu dhe Kryeministri i Serbisë e quajtën ardhjen e dronit në stadium një akt terrorist, madje Presidenti bëri një aluzion se kjo ishte një ngjarje e ngjashme me atentatet e 11 shtatorit në SHBA, Policia Serbe dhe shërbimet e fshehta (këta të fundit gjendeshin me detyrë sigurie në stadium edhe me rastin që atje janë shtetarët më të lartë të vendit), nuk u dukën aspak të interesuar për ta shtënë në dorë objektin fluturues kur ai ra në fushë? Madje, as edhe kur nisën trazirat në fushë, asnjë polic serb nuk ndërhyri për ta shtënë në dorë objektin fluturues. Pas ndeshjes Policia Serbe nuk dha asnjë njoftim se çfarë kishte ndodhur me objektin fluturues, ku gjendej ai. Dhe siç rezultoi më pas, droni jo vetëm që kishte hyrë në stadium i papenguar, por ai edhe ishte larguar që andej i papenguar dhe mundi të bjerë në dorën e Policisë Serbe vetëm pas dy ditëve. I vetmi serb që u interesua për dronin në stadium ishte një tifoz, jo një polic. Policia Serbe nisi ta kërkonte dronin vetëm pasi ai kishte dalë jashtë stadiumit. Policia Serbe, e cila kërkoi pultin e komandimit të dronit në çantat e lojtarëve shqiptarë, nuk u duk aspak e interesuar për të konfiskuar objektin fluturues kur e kishte atë në mes të fushës së stadiumit!!! Ky është çelësi që shpjegon gjithçka.
Dërgimi i dronit në stadium bëri që Shqipëria të akuzohet zyrtarisht nga Serbia, nga autoritetet më të larta të këtij vendi, për kryerjen e një akti terrorist shtetëror me synim destabilizimin e Serbisë. Në marrëdhëniet ndërshtetërore kjo ka kuptimin se shteti i dëmtuar ka të drejtë të ndërhyjë ushtarakisht ndaj vendit përgjegjës për të shmangur rreziqe të tilla. Dërgimi i dronit në stadium u komentua si një provokim politik edhe nga autoritetet më të larta të Bashkimit Europian. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurinë, Catherine Ashton, deklaroi të nesërmen e ngjarjes (do ta citoj në anglisht për të shmangur deformimet që mund të vijnë nga përkthimi):
“We are disappointed with disruption of the football match that you just mentioned yesterday following an act of provocation. We believe that Serbian authorities demonstrated professionalism in handling this situation… And most importantly we consider that politics must not be driven by stadium provocations in stadiums.”
Presidenti i UEFA, Platini bëri një aluzion, për mendimin tim mëse të arsyeshëm, se cfarë do të kishte ndodhur nëse droni do të kishte pasur lëndë shpërthyese madje edhe bërthamore. Akte të tilla terroriste nuk mund të përjashtohen, kur stadiumet janë vende mëse të përshtatshme për këto, për shkak të grumbullimit të madh të njerëzve. Platini flet me shqetësim dhe parashikon më të keqen, se ai e ndjen veten përgjegjës në detyrën e lartë që mban. Për këtë nuk duhet fajësuar Platini por terroristi ynë, Ismail Morinaj.
Por dërgimi i dronit në stadium vuri seriozisht në rrezik jetën e futbollistëve shqiptarë në fushë, çka mund të shihet nga pamjet televizive. Me këtë rast, të gjithë lojtarët shqiptarë u kontrolluan fizikisht si kriminelë nga Xhandarmëria Serbe. Shqipëria u quajt fajtore për ndërprerjen e ndeshjes dhe u dënua nga UEFA duke e humbur ndeshjen në tryezë 3-0.
Për të gjitha këto arsye, shtetasi Ismail Morinaj, me veprimet e tij ka kryer këto vepra penale:
1) Neni 230 i Kodit Penal “Vepra me qëllime terroriste”, preambula e të cilit thotë se: “Kryerja e veprave të mëposhtme, me qëllim përhapjen e panikut në popullatë ose për të detyruar organe shtetërore, shqiptare ose të huaja, të kryejnë ose të mos kryejnë një akt të caktuar, ose për të shkatërruar apo destabilizuar, në mënyrë serioze, struktura thelbësore politike, kushtetuese, ekonomike ose sociale të shtetit shqiptar, të një shteti tjetër, institucioni apo organizate ndërkombëtare, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.”
Më tutje në këtë nen listohen shtatë raste të specifikuara të akteve terroriste, por më lart në këtë nen thuhet se kjo vepër penale nuk kufizohet në këto raste, duke u lënë hapësirë për një interpretim të gjerë të preambulës së nenit. Nga kjo pikëpamje veprimi i Ismail Morinajt duhet cilësuar si vepër me qëllime terroriste që kishte si synim të qartë t’ i jepte të drejtë Serbisë ta akuzonte Shqipërinë për shkaktim destabilizimi serioz, ta akuzonte ndërkombëtarisht për akte shtetërore terroriste, dhe të ndërmerrte ndaj përfaqësueses shqiptare të futbollit, e cila përfaqësonte shtetin shqiptar, veprime poshtëruese, duke e inkriminuar atë.
2)“Provokimi i luftës”, e parashikuar nga neni 211 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ky nen thotë se:
“Kryerja e veprimeve që synojnë të provokojnë luftë apo të venë Republikën e Shqipërisë përpara rrezikut të ndërhyrjes nga fuqi të huaja, dënohet me burgim jo më pak se 15 vjet”.
Reagimi zyrtar shtetëror i Serbisë pas aktit të Ismail Morinajt ka qenë ai i një shteti ndaj të cilit është kryer një akt agresioni shtetëror nga një shtet tjetër. Kjo do të thotë se Morinaj, me veprimtar e tij ka dashur t’ i japë Serbisë argumente për të reaguar kështu. Presidenti ashtu dhe Kryeministri i Serbisë e quajtën ardhjen e dronit në stadium një akt terrorist, madje Presidenti bëri një aluzion se kjo ishte një ngjarje e ngjashme me atentatet e 11 shtatorit në SHBA. Ismail Morinaj me veprimet e tij e ka vënë Republikën e Shqipërisë në një situatë të tillë, çka kuptohet nga deklaratat e zyrtarëve serbë dhe nga protesta zyrtare që Serbia i dërgoi Shqipërisë, me anë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
3) “Poshtërimi botërisht i Republikës dhe i simboleve të saj”, parashikuar nga neni 268 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Autori i bannerit i kishte vendosur dy Etërit Themelues të Shtetit Shqiptar, Ismail Qemal Vlorën dhe Isa Boletinin, si dhe stemën e Republikës së Shqipërisë, shqiponjën e zezë në fushë të kuqe, brenda një fushe të zezë. Ky nuk ishte thjesht një poshtërim. Praktikisht me këtë banneri kishte kombinuar flamurin kombëtar shqiptar me flamurin e zi të Shtetit Islamik. Një tjetër simbol islamik në banner ishte harta, e ashtuquajtur nga Ismail Morinaj, si e Shqipërisë Etnike.
Nëse e shikoni me vëmendje hartën e ashtuquajtur të Shqipërisë Etnike që gjendet në bannerin e zbritur nga ajri në stadiumin “Partizani” të Beogradit, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, do të vini re se në këtë hartë, brenda territorit të “Shqipërisë Etnike” përfshihet dhe Sanxhaku. Sanxhaku është pikërisht ai cepi më veriperëndimor i hartës në baner. Ai ndodhet në jugperëndim të Serbisë dhe në veriperëndim të Malit të Zi. Sanxhaku nuk ka qenë kurrë një treve e pretenduar si pjesë e Shqipërisë Etnike që nga koha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe deri më sot. Shumicën e popullsisë e përbëjnë boshnjako-muslimanët (54.5%) Serbët përbëjnë 33.9% të popullsisë dhe malazezët 7.25% të popullsisë. Vetëm 1.04% e popullsisë së përgjithshme të Sanxhakut, ose 4062 persona janë deklaruar shqiptarë. Sanxhaku nuk ka asnjë lidhje me projektin historik të Shqipërisë Etnike. Sanxhaku nuk ka asnjë lidhje me hartën që Etërit Themelues të shtetit shqiptar, ndër të cilët spikasnin Ismail Qemal Vlora dhe Isa Boletini, portretet e të cilëve qenë në baner, i paraqitën në janar 1913, në emër të Kuvendit të Vlorës Konferencës së Fuqive të Mëdha që ishte duke u mbajtur në kryeqytetin e Britanisë së Madhe dhe ku do të përcaktoheshin kufijtë e shtetit shqiptar. As shqiptarët, qoftë edhe nacionalistët më të skajshëm, nuk duan që ta bashkojnë Sanxhakun me Shqipërinë dhe as 99% e banorëve të Sanxhakut nuk e dëshirojnë bashkimin me Shqipërinë. Një pjesë e banorëve muslimanë të Sanxhakut e dëshirojnë bashkimin me Shqipërinë vetëm në kuadrin e një shteti islamik, që të përfshijë edhe Bosnjën. Në hapësirën shqiptare, vetëm ekstremistët islamikë në Shqipëri, Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare e kërkojnë bashkimin me Sanxhakun në kuadrin e një shteti islamik në Ballkan.
Por Sanxhakut i është dhënë një rëndësi e madhe strategjike në atë që njihet si shigjeta e gjelbër islamike në Ballkan, që simbolizon aspiratën për krijimin e një shteti islamik në Ballkan që synon të bashkojë Bosnjën e izoluar me trojet e tjera me shumicë muslimane në Ballkan, Kosovën, Maqedoninë Perëndimore, Shqipërinë. Ky bashkim supozohet të arrihet nëpërmjet Sanxhakut. Ky projekt gjeopolitik doli në fillim të viteve nëntëdhjetë, me nisjen e luftrave në Jugosllavi dhe autorësia e tij i përket fundamentalistëve islamikë në Ballkan, ndër ta edhe disa shqiptarëve. Më tutje, propagandat antishqiptare e kanë përdorur shumë këtë mit gjeopolitik.
Vendosja e simboleve kombëtare shqiptare në një banner me fushën e zezë të ISIS dhe brenda një harte që paraqet një shtet islamik në Ballkan që përfshin trojet shqiptare dhe Sanxhakun, përbëjnë poshtërim të simboleve të Republikës së Shqipërisë, cka dënohet nga neni 268 i Kodit Penal.
Sipas nenit 6 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë: “Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin shqiptar që kryen krim në territorin e një shteti tjetër, kur krimi është njëkohësisht i dënueshëm dhe derisa nuk është dhënë për të një vendim përfundimtar nga një gjykatë e huaj.”
Pra, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka detyrim të nisë procedimin penal të Morinajt pavarësisht se ai e ka kryer veprën penale në territorin e Serbisë. Në cdo rast, pavarësisht se ku mund të jetë vendbanimi i të kallzuarit prej meje, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka detyrim të kryejë veprimet e duhura për ta dërguar kallzimin pranë zyrës kompetente të akuzës.
Unë kërkoj që ndaj shtetasit Ismail Morina të fillojë çështja penale për këto vepra penale.
1) “Vepra me qëllime terroriste”, parashikuar nga Neni 230 i Kodit Penal.
2)“Provokimi i luftës”, e parashikuar nga neni 211 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
3)“Poshtërimi botërisht i Republikës dhe i simboleve të saj”, parashikuar nga neni 268 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Për gjithçka sa kam shkruar më lart, jam i gatshëm t’ i ofroj Prokurorisë të gjitha provat e nevojshme./Kastriot Myftaraj
Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)