Mustafa thotë se po krijohen kushte që bizneset e Kosovës të jenë të barabarta në tregun e BE’së

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi sot Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2017”, i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

I shoqëruar nga zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryeministri Mustafa fillimisht ka vizituar bizneset e shumta nga Kosova dhe më gjerë që kanë ekspozuar prodhimet e tyre në këtë Panair.

“Kur e shohim këtë, në një ambient të tillë, të duket që nuk je në Kosovë, por në një vend perëndimor, sepse kemi produkte që jo vetëm përngjajnë, por edhe për nga cilësia dhe konkurrenca janë ato siç prodhohen edhe në fabrikat në shtetet e Bashkimit Evropian dhe unë jam shumë i lumtur që kemi një ekonomi të tillë, kemi biznesmenë të tillë, kemi ndërmarrës të tillë”, tha kryeministri.

Më tutje, kryeministri Isa Mustafa është njoftuar nga përfaqësuesit e bizneseve se është rritur interesimi i qytetarëve dhe i vizitorëve për produkte, e po ashtu është rritur edhe gama e produkteve të cilat po i ekspozojnë firmat në këtë Panair.

Prodhuesit vendorë, ndërkaq janë interesuar të dëgjojnë nga kryeministri Mustafa se kur do të hyjë në fuqi Pako Fiskale 2.

“Gati të gjithë më pyetën se çfarë po bëhet me Pakon Fiskale. Vetë fakti që e mora këtë pyetje se kur do të miratohet Pakoja Fiskale 2, flet se ata e kanë përjetuar shumë mirë Pakon Fiskale 1 dhe presin që përmes Pakos Fiskale 2 t’i zgjidhin disa nga pabarazitë që i kanë pasur deri më tani në treg. Unë i sigurova që deri në fund të këtij muaji më së largu ne do të aprovojmë atë në Qeveri dhe se bizneset sa i përket kësaj do ta kenë të përfunduar këtë kërkesë. Po ashtu, do të punojmë edhe në kërkesa të tjera, që gjithherë të krijojmë kushte që bizneset tona të jenë të barabarta ose të jenë para bizneseve tjera në tregun e Bashkimit Evropian dhe në tregjet tjera”, tha kryeministri.

 
Loading...