Mustafa: S’ka agjendë më të rëndësishme se rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës

Në Prizren po i zhvillon punimet Konferenca për zhvillimin socio-ekonomik për Kosovën, organizuar nga Qeveria e ë Kosovës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Banka Botërore.
Në këtë Konferencë, mori pjesë Kryeministri Isa Mustafa, udhëheqës të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe të Bankës Botërore në Kosovë, si dhe të mekanizmave tjerë financiar e ekonomik në Kosovë.
Në pjesën hyrëse, të pranishmëve në konferencë me nga një fjalë rasti iu drejtuan kryeministri Isa Mustafa, Jean Eric Paquet – Komisioni Evropian, Drejtor për Ballkanin Perëndimor në DG NEAR, Ellen Goldstein-Banka Botërore, Drejtoreshë dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, Bekim Ҫollaku – Ministër për Integrim Evropian
Në fjalën e tij, Kryeministri Mustafa pasi shprehu respektin për këtë takim konsultues, vlerësoi lart rolin e Bashkimit Evropian dhe të Bankës Botërore në proceset e deritashme të zhvillimit të Kosovës dhe sidomos në proceset të cilat pasojnë më tutje.
“Dëshiroj të them se Kosova ka nevojë për një rol më të madh të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve financiare evropiane siç është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane për Investime, Banka Gjermane për Zhvillim dhe veçmas për rol më të madh të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëta”, tha Mustafa dhe vlerësoi se impakti financiar i këtyre institucioneve në ekonominë e vendit tonë është shumë i rëndësishëm.
Por, sipas mendimit të tij, kapaciteti veçmas i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe i Bankës Botërore nuk është shfrytëzuar deri më tani sa dhe si duhet në vendin tonë.
“Ne kemi nevojë për një pjesëmarrje më të madhe dhe më të fuqishme dhe një impakt të drejtpërdrejtë të këtyre institucioneve në projektet zhvillimore, në sektorin privat dhe në sektorin publik”.
Kryeministri Mustafa u zotua që projektet e asistencës teknike të shndërrohen në “projekte të investimeve të drejtpërdrejta në fusha zhvillimore dhe në fusha productive”.
Me Fondin Monetar Ndërkombëtar, shtoi ai, janë në rrugë që të arrijnë marrëveshje për bashkëpunim të ngushtë programor, por edhe për rishikim të përkohshëm të kornizës fiskale e cila do të na mundësoj që të kemi burime më të mëdha financiare për zhvillimin tonë.
“Kemi nevojë për investime më të mëdha në energjetikë, në infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore, në infrastrukturë për ujitjen në bujqësi, për linja kreditore të volitshme për sektorin privat, për projekte të trafikut urban në qytete, të menaxhimit të mbeturinave, të pastrimit të ujërave të zeza, për efiçiencë të energjisë dhe për shfrytëzim të energjisë së ripërtëritshme”.
Duke folur për temat që do t’i diskutohen sot, Mustafa vlerësoi se nuk ka agjendë më të rëndësishme për Kosovën se sa ajo e rritjes ekonomike dhe e krijimit të vendeve të punës. Kjo agjendë, tha ai, është komplekse dhe shumëdimensionale dhe si e tillë kërkon veprime të matura, të koordinuara dhe të përgatitura mirë, në fusha të ndryshme qeverisëse, duke filluar nga politikat fiskale, nga qëndrueshmëria makroekonomike, nga adresimi i nevojave për energjinë, mbështetjen e zhvillimit të sektorit privat të ndërmarrësisë, dhe veçmas të bujqësisë dhe trajtimit të informaliteteve si dhe ngritjen e institucioneve të afta të Qeverisë.
Lidhur me Programin Qeverisës për periudhën 2015-2018, Kryeministri tha se atë e kanë prezantuar para partnerëve ndërkombëtarë, si dhe prioritetet tona që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, me hapjen e vendeve të reja të punës, me forcimin e shtetit të së drejtës, dhe me reforma strukturore të cilat duhet t’i bëjmë në arsim dhe shëndetësi.
Po ashtu bëri të ditur se Qeveria ka aprovuar këto ditë edhe një pako të reformave gjithëpërfshirëse fiskale që kanë të bëjnë me përkrahjen e mjedisit biznesor dhe me përmirësimin e mbledhjes së tatimeve dhe të doganave si dhe me adresimin gradual të informaliteteve në fusha të ndryshme.
Kryeministri Mustafa tha se në përputhshmëri me Programin e Qeverisë, kanë veçuar masat për reformat ekonomike, duke adresuar shumë politika të cilat edhe sot do t’i diskutojnë, duke vlerësuar se diskutimi i këtyre politikave do t’i shërbejë bashkëpunimit të përbashkët si dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
“Ne konsiderojmë se kufizimet buxhetore të cilat i kemi deri më tani dhe investimet që mund t’i bëjmë në sektorin publik nga ky buxhet, kursimet të cilat janë në bankat komerciale dhe kapaciteti i bankave komerciale si dhe kualiteti i kreditimit nga bankat komerciale është i pamjaftueshëm që ne të kemi një zhvillim i cili mundëson absorbimin e fluksit të të papunëve në Kosovë dhe i cili mundëson që ne t’i zgjidhim në afat të shkurt por edhe në afat mesatar këto probleme. Prandaj, ne kemi nevojë për një përkrahje më të madhe, veçmas financiare”, tha mes tjerash në mbyllje të fjalës së tij Kryeministri Isa Mustafa.