Mustafa: Për viza pritet vetëm vendimi politik

Kreu kosovar i ekzekutivit, Isa Mustafa, tha se ende nuk ka ndonjë qëndrim lidhur me modalitetin e liberalizimit të vizave.

“Kemi shkrime të llojllojshme, kemi deklarata të llojllojshme, mirëpo jo deklarata zyrtare. Çfarë është e sigurt tani, është se ne i kemi plotësuar kushtet teknike, të gjitha kriteret, por edhe tetë rekomandimet të cilat janë dhënë”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.

Sipas Mustafës, Komisioni i cili ka qenë para tre javësh këtu e ka dhënë raportin në Bruksel dhe Komisioni po ashtu ka konstatuar se Kosova ka plotësuar këto.

“Ka mbetur tani që Komisioni Evropian të procedojë më tutje, mirëpo është në vullnetin e Komisionit Evropian vendimi politik, sepse tani pritet vetëm vendimi politik”, tha kryeministri Mustafa, përcjell koha.net.

Ai nuk ka dashur të flas në emër të Komisionit Evropian se kur kjo do të ndodhë.

“Ne kemi kërkuar që të kemi takime me Komisionin Evropian dhe jemi në lidhje me ta, dhe do të mundohemi që sa më shpejtë të kemi informata, ta shtyjmë këtë proces dhe qytetarët tanë këtë vit të udhëtojnë pa viza. Mirëpo, natyrisht se vendimi u mbetet institucioneve të Bashkimit Evropian”, tha kryeministri Mustafa.