Mos kompletimi i bordeve, dëmton buxhetin

Mos kompletimi i Bordeve të Ndërmarrjeve Publike dhe Agjencive të Pavarura po dëmton edhe buxhetin e Kosovës.

Në mungesë të “ligjit për pagat e funksionarëve të lartë të shtetit”, anëtarët e bordeve paguhen në bazë të ligjeve të veçanta.

Në anën tjetër deputetët e Kuvendit të Kosovës, shprehin shqetësim edhe për numrin e madh të bordeve që ka vendi.

Mos kompletimi i bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura, ka bërë që drejtuesit e këtyre bordeve të mos raportojnë për punën dhe financat në komisionet përkatëse parlamentare.

Po ashtu, anëtarët e bordit, të cilët kanë mandat vazhdojnë të marrin paga, ndonëse nuk mund të marrin vendime, për shkak se janë të pa kompletuara.

Përveç dëmit financiar, çështje tjetër që ngritin deputetët është edhe numri i madh i tyre. Besa Gaxherri nga LDK konsideron se disa borde edhe mund të shuhen krejt.

Besa Gaxherri “Fatkeqësisht Kosova ka krijuar edhe agjenci edhe borde të tepërta të cilat jemi duke i diskutuar edhe në komisionin për buxhet, në çdo takim e diskutojmë që duhet të fillojmë të ndërmarrim diçka, ka mundësi këtu disa të difuzjonohen, ka mundësi disa t’i largojmë fare kështu që po presim edhe ligjin për Qeverinë dhe ne me ec në këtë drejtim.

Faktikisht për momentin situata nuk është hiq e mirë”

Të njëjtin shqetësim e shfaq edhe Safete Hadërgjonaj nga PDK. Ajo nuk e sheh të drejtë as mënyrën e pagesës së anëtarëve të bordeve.

Safete Hadërgjonaj “Është shqetësuese se institucionet e pavarura në Kosovë janë shumë, unë me dhjetëra herë e kam ngritur këtë çështje, jam shumë e interesuar që ta gjejmë një mënyrë që t’i reduktojmë këto institucione të pavarura të cilat i raportojnë Kuvendit, sepse asnjë vend i regjionit nuk ka kaq shumë borde dhe të mos flasim për vendet e zhvilluara. Kur jemi te çështja e bordeve, kemi borde ekzekutive, borde jo ekzekutive, kemi komisione të pavarura kemi lloj lloj institucionesh të cilat e luajnë rolin si borde të pavarura e paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe e keçja është se për këto borde nuk kemi ligj për t’ju caktuar pagat këtyre bordeve. Disa janë të rregulluara me ligje të veçanta që nuk është e drejtë sepse duhet të jetë “ligji për pagat e funksionarëve të lartë publik” Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse ai ligj nuk po mund të vije në Kuvend dhe skam qenë shumë e pajtimit as me u kthy kur ka ardhur në Kuvend, sepse ka qenë një herë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.”

Për opozitën zvarritja e kompletimit të bordeve, po bëhet për shkak të pazareve politike.

Të paktën kështu thotë Pal Lekaj nga AAK.

Pal Lekaj “Sa i përket formimit të bordeve ju e dini se kjo ka ngecur dhe kjo reflekton negativisht me menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe mendoj se këtu nuk qëndron ajo se Qeveria nuk do por, janë pazaret politike në mes të dy partive të koalicionit që t’i ndajnë bordet që është në kundërshtim edhe me ligjin e ndërmarrjeve publike dhe me atë menaxhimin modern që ne ta quajmë dhe janë larg standardeve. Prandaj gjithë ky prolongim bëhet në dëm të menaxhimit të mirëfilltë të menaxhimit të ndërmarrjeve publike dhe vendit i shkaktojnë mjaft probleme, mjaft humbje”

Ndryshe, për kompletimin e bordeve, shqetësim ka shprehur edhe shoqëria civile.

Sipas KDI-së mbi 20 borde janë të pakompletuara apo me anëtarë të cilëve ju ka kaluar mandati. /RTK/