Moratti shqyrton rikthimin te Interi?

 

Massimo Moratti synon të rikthehet në krye të Interit. Lajmin sensacional e jep “Gazzetta Dello Sport”, sipas të cilës, ish-pronari i klubit zikaltër ka urdhëruar përfaqësuesit e tij ligjorë që të studiojnë të gjitha mundësitë madje duke përfshirë edhe tifozët me një lëvizje popullore për të marrë sërish komandën e ekipit. Në këtë ndërmarrje, Moratti do të mbështetet nga një tjetër ish-president ziklatër, Ernesto Pellegrini dhe një bashkëpunëtor i tij i afërt si Marco Tronchetti Provera.
69-vjeçari po sheh mundësinë për të gjetur fonde dhe investitorë nga Anglia dhe Shetet e Bashkuara të Amerikës. Synimi i tij është të rimarrë 60% të aksioneve, me një organizim më të gjerë, për t’i dhënë më shumë frymëmarrje klubit me mbështetje ndërkombëtare. Gjithsesi, ky aksion që po planifikon Moratti do të jetë shumë i komplikuar, sidmos me përfshirjen e tifozëve, të cilëve do t’u kërkojë mbështetje për të arritur qëllimin e tij.
Një tjetër aspekt, ndoshta më i rëndësishëm, është roli që do të ketë presidenti aktual Erik Thohir. Me shumë mundësi, manjati indonezian do të ia hedhë pa dëme ekonomike nëse gjithçka do të shkojë sipas planeve të Morattit. Gjithsesi llogaritë do të bëhen vetëm kur Moratti të hedhë të zezën mbi të bardhë.
Për të mos rritur tensionin mes palëve, vetë Moratti i quajti spekulime këto raportime. Sipas tij, nuk ekzistojnë mundësitë për ta rimarrë shoqërinë, ndonëse “Gazzetta Dello Sport” këmbëngul për të kundërtën./supersport/drenicapress/