MMPH: Ndërtimet në Zveçan janë ndërprerë, derisa të plotësohen dokumentet (Video)

Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve në ndërtimin e rreth 300 shtëpive në lagjen “Lugina e Diellit” në Zveçan, për arsye se nuk janë plotësuar kushtet ligjore.

Kështu ka konfirmuar për Ekonomia Online këshilltar i ministrit Ferid Agani, Bashkim Bekolli, i cili tha se lejet e ndërtimit lëshohen në bazë të dokumenteve të planifikimit të komunave, të bazuara në dokumentet e planifikimit hapësinor, planit zhvillimor komunal dhe hartës zonale, dokumente këto që Komuna e Zveçanit nuk i ka.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që nga fillimi punimet në lagjen Zveçan i ka konsideruar si të jashtëligjshme, për faktin se kjo komunë nuk i posedon dokumentet e domosdoshme të planifikimit hapësinor, siç janë plani zhvillimor komunal, harta zonale komunale si dhe planet rregulluese të hollësishme”.

“Ministria ka kërkuar nga kryetari i komunës së Zveçanit të ndërpriten këto punime derisa këto dokumente të miratohen nga Ministria e Mjedisit”, u shpreh Bekolli.

auto_Bekolli_21466085317
Këshilltari i Aganit, më tej, deklaroi se inspektorati komunal po i mbikëqyr këtë zonë në rast se rifillojnë punimet, pasi Ministria e Mjedisit nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që të zhvillohen ato punime të paligjshme.

Ndërkohë, të martën ministri Ferid Agani ka pritur në zyrën e tij kryetarin e Zveçanit, Vuçina Jankoviq, dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, me të cilët bisedoi për projektin e paralajmëruar për ndërtimin e lagjes për serbët e kthyer në Zveçan.

Ministri Agani ka kërkuar nga Jankoviq që të ndërpriten të gjitha aktivitetet ndërtimore përkitazi me këtë projekt, deri në përmbushjen e plotë të dispozitave ligjore në fuqi.

Njëkohësisht, ministri Agani u ka ofruar bashkëpunim të plotë tëMMPH-së gjatë hartimit të dokumenteve të planifikimit hapësinor për Komunën e Zveçanit.