Mitrovicë, ka nisur mbarë mësimi në gjysmëvjetorin e dytë në të gjitha shkollat

 

Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të qytetit të Mitrovicës, falë përgatitjeve të kryera me kohë nga Drejtoria e Arsimit dhe drejtorët e shkollave, ka nisur mbarë mësimi i gjysmëvjetorit të dytë, të vitit shkollor 2014/2015, ka thënë Drejtoresha e Arsimit Ajmane Barani.
Ajo tha se edhe përkundër vështirësive që janë krijuar nga moti me reshje dhe borë, mësimi ka nisur pa probleme edhe në shkollat e Shalës së Bajgorës, ndonëse fërfëlliza dhe reshjet në ditët më parë kishin mbyllur disa rrugë nëpër lagje të fshatrave, duke krijuar probleme në lëvizjen e nxënësve dhe stafit të arsimtarëve deri tek shkollat.
“Mësimi ka nisur mbarë në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të qytetit. Përderisa në qytet gjendja ka qenë më e lehtë që të kryhen përgatitjet dhe të bëhet organizimi i duhur, në zonat rurale, posaçërisht në lokalitetet e Shalës së Bajgorës, është deshtë një angazhim shumë më i madh, por që fatmirësisht ka dhënë rezultate, pasi që edhe atje ka nisur me kohë dhe mësimi po zhvillohet pa probleme” ka thënë Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit Ajmane Barani.
Drejtoresha Barani, e shoqëruar nga zyrtarët e Drejtorisë, ka inspektuar disa shkolla brenda qytetit dhe disa sosh në Shalë të Bajgorës, ku me drejtuesit dhe  personelin ka biseduar rreth situatës aktuale dhe vazhdimit të procesit mësimor në këto shkolla.

020.JPG