Mitrovicë, aksion për rrënimin e ndërtimeve pa leje

 

Inspektorët komunal të ndërtimit kanë realizuar aksionin për rrënimin e disa objekteve që nuk kishin leje në afërsi të Shtëpisë së mallrave, përkatësisht përreth shtëpisë së Xhafer Devës, e cila së shpejti do t’i nënshtrohet procesit të restaurimit të plotë, si objekt i trashëgimisë kulturore.
Lidhur me këtë aksion, por edhe punën e vazhdueshme që bëjnë inspektorët komunalë, drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Naim Hajra, ka theksuar se Inspekcioni është i vendosur që të respektoj në tërësi ligjin që ka të bëjë me ndërtimet pa leje në komunën e Mitrovicës.
Drejtori Hajra ka thënë se Drejtoria e Inspekcionit, ka rrënuar objektet, të cilat nuk kishin leje ndërtimi dhe ishin ndërtuar në hapësirë publike, përreth objektit të njohur si Shtëpia e Xhafer Devës, që është një objekt i mbrojtur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe e cila do të restaurohet.
Konfirmohet se objektet që për vite të tëra, që nga paslufta, kanë qenë të ndërtuara në afërsi të këtij objekti, janë rrënuar nga Inspektorët e Ndërtimit, duke krijuar kështu kushtet për fillimin e punimeve për restaurimin e këtij objekti.
 Drejtoria e Inspekcionit, sipas Hajrës, njofton publikun e gjerë se do të vazhdoj me këtë aksion gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke rrënuar të gjitha objektet të cilat nuk kanë leje ndërtimi dhe të cilat janë të ndërtuara në hapësirën publike përgjatë shëtitores së qytetit, e cila është duke u rregulluar.
Rrënimi është kryer nga kompania e kontraktuar nga Komuna për rrënimin e objekteve pa leje dhe është asistuar edhe nga Policia e Kosovës. Gjatë aksionit nuk ka pas asnjë problem, pasi një muaj më herët, për aksionin e rrënimit janë njoftuar ata që i kanë shfrytëzuar këto hapësira.

 
Loading...