Mitrovica me shqiptarët për heqjen e ‘parkut të paqes’ dhe serbët kundër

Barrikada e quajtur ‘Park i Paqes’ në qytetin që sot jeton i ndarë, por me nostalgjinë se një ditë do të bashkohet, vazhdon të shihet në mënyra të ndryshme nga përfaqësuesit shqiptarë dhe serbë të këtij qyteti. Përfaqësuesit shqiptarë insistojnë që ‘parku i paqes’ që ndodhet mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë, të heqet sa më parë, derisa serbët tërheqin vërejtjen se largimi i këtij ‘parku’ pa një marrëveshje paraprake, mund ta destabilizojë situatën edhe ashtu të brishtë në këtë qytet. Kryetari i komunës së veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, ka thënë për KosovaPress se akterët e dialogut të Brukselit kanë marr përgjegjësitë e tyre, në mesin e të cilave edhe mos largimin e parkut deri të arrihet një marrëveshje e pranuar për të qytetarët e të dyja komunave. ”Për shkak të situatës së përgjithshme dhe raporteve të ftohta në mes të veriut dhe jugut, nuk është momenti që parku i paqes të largohet njëherë”, theksoi Rakiq. Ndërkaq, kryetari i komunës në jug të Mitrovicës, Agim Bahtiri, parkun mbi urën e Ibrit e ka quajtur park të turpit në shekullin e 21-të. Ai është shprehur kategorik kundër kësaj barrikade dhe çdo elementi tjetër bllokues për qytetarët. Sipas tij, ai vjen nga bota e biznesit e cila nuk njeh kufij, nacionalitet, e aq më pak barrikadë.

“Barrikada duhet të hiqet në të gjitha format, askund nuk do të ketë barrikadë më 2015, sepse është qëllimi ynë të ecim përpara. Sa më shumë vonohemi, do të vonohemi edhe në procese për të cilat BE-ja nuk është e interesuar të ndalen, por sa më shpejtë të futet procesi i rrugës së mbarë për të hyrë në Evropë”, theksoi mes tjerash Bahtiri.

Në anën tjetër, edhe shqiptarët të përfaqësuar në Kuvendin e Komunës së veriut të Mitrovicës, insistojnë që ‘parku i paqes’, të cilin e shohin si barrikadë dhe pengesë për lëvizjen e lirë të qytetarëve, të largohet sa më parë.

Zëvendës kryesuesi për komunitete në këtë Kuvend, Emir Azemi, thotë se ky park duhet të largohet sa më parë.

Ai ka vlerësuar se kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, duhet të ndërmarr të gjitha veprimet e parapara me ligj dhe vetë ta largojë barrikadën dhe në këtë mënyrë të jetë shembull i bashkëjetesës në këtë qytet.

“Barrikadat në mendjet e njerzëve dhe Parku i Paqes i përkasin të kaluarës dhe kohës tani të perënduar të Millosheviqit, andaj ai park duhet hequr sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka thënë për Kosovapress Azemi.

 
Loading...