Mirënjohje për 25 biznesmenët më të dalluar mitrovicas

Komuna ka nderuar me mirënjohje 25 bizneset më të suksesshme të Mitrovicës, duke inkurajuar ata që të zgjerojnë veprimtaritë e tyre sepse në këtë drejtim do të kenë mbështetje institucionale.
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, tha se mundësitë e komunës për mbështetje financiare janë të kufizuara, por atë që është e mundur do ta bëj.
“Mendoj se për zhvillimin e biznesit është me rëndësi një ambient i sigurt dhe besoj se këtë e keni ju biznesmenët e Mitrovicës. Por, krahas kësaj e di se keni nevoja të tjera, si për ngritjen e kapaciteteve, ashtu edhe për funksionimin normal të kapaciteteve ekzistuese dhe ju them se do ta keni mbështetjen tonë të plotë”, tha Bahtiri.
Ai u sugjeroj pronarëve të bizneseve që të hartojnë projekte duke ofruar bashkëpunim edhe në këtë drejtim, si dhe rrugën për përfitim të donacioneve të Komisionit Evropian.
Drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Nasuf Aliu, prezantoj para të pranishmëve planet e drejtorisë për të ardhmen, duke u fokusuar në objektivat zhvillimore.
“Ndërtimi i komunikimit në mes të akterëve në sektorin privat, përkrahja e këtij sektori, përkrahja e bujqësisë dhe turizmit rural në zhvillimin e saj, ndërtimi i partneritetit publiko-privat, ndërtimi ligjor dhe infrastrukturorë për zhvillim të komunës, ngritja e nivelit të planifikimit strategjik, janë disa nga objektivat tona që synojmë t’i realizojmë”, tha Aliu.
Duke konsideruar se deri më tani nuk ka pas bashkëpunim të mirëfilltë të institucionit me bizneset private, ai kërkoj nga përfaqësuesit e tyre që të bashkëpunojnë në mënyrë që të rritet zhvillimi ekonomik në vend, që është në interes të përgjithshëm.
Biznesmenët falënderuan komunën për angazhimin e saj për mbështetje të veprimtarisë dhe promovimin e tyre, duke thënë se me vite zhvillojnë bizneset e tyre, por asnjëherë më parë nuk janë ftuar në takime të tilla, sikurse tani. Në fund të takimit, kryetari Bahtiri ju dha mirënjohje për biznesmenëve më të dalluar, të cilëve ju uroj suksese edhe në të ardhmen.