Miratohen rekomandimet për RTK-në

Me 76 pro dhe dy abstenime, Kuvendi i Kosovës, në mbledhjen e sotme miratoi rekomandimet për RTK-në.
Kuvendi i rekomandon Auditorit të Përgjithshëm që të bëjë një auditim të detajuar rreth menaxhimit financiar të RTK-së. Së bashku me shqyrtimin e raportit vjetor të RTK, të shqyrtohet edhe Raporti i Përformancës dhe raportet financiare të RTK-së të hartuara nga Auditori i Përgjithshëm.
Pas shqyrtimit të raportit dhe bazuar në të gjeturat e tij, Kuvendi do t’i ndërmarër veprimet siç përcaktohen me ligjet ne fuqi duke mos përjashtuar edhe krijimin e një komisioni parlamentar hetimor për RTK-në. Të zbatohet Ligji për RTK-në neni 8 nga pika 3 deri te pika 6, për përfaqësimin e programit për komunitetet jo shumicë jo serbe. Kuvendi i Republikës së Kosovës, si organ themelues i RTK-së, i kërkon Bordit të RTK-së si organi më i lartë mbikëqyrës, që urgjentisht të adresojë të gjitha problemet e ngritura në Kuvendin e Kosovës. Bordi i RTK-së, në veçanti duhet të shqyrtojë përjashtimin nga puna të kryetarit dhe nënkryetarit të sindikatës të punëtorëve të RTK-së dhe të ndërmerr veprimet e nevojshme ligjore dhe për këtë ta njoftoj Kuvendin deri me 15 prill 2015.