Ministri i Kulturës dhe Daut Thaqi takohen me dekanin e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit

Ministri Kujtim Gashi takoi sot dekanin e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Musa Selimi dhe drejtuesit e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës, me të cilët diskutoi për gjendjen e sportit në vend, sidomos për të rinjtë dhe studentët që merren me aktivitete sportive.

Ministri e njoftoi dekanin Selimi për punën dhe obligimet që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka për fushat me të cilat merret ajo, e në këtë kuadër hyn edhe sporti si një prej dikastereve më të rëndësishëm, duke marrë parasysh rolin që ai ka në shoqëri.

Ministri Gashi u shpreh se MKRS-ja po punon vazhdimisht që të përmirësojë kushtet në sport, në investime kapitale por edhe përmes formave tjera të përkrahjes për federatat sportive dhe kjo përkrahje do të vazhdojë duke u rritur në vitin e ardhshëm.

Ndërsa, Selimi e uroi ministrin për marrjen e detyrës dhe e njoftoi për angazhimet dhe punën që bën fakulteti në edukimin e sportistëve të rinj dhe nxjerrjen e talenteve. Njëherësh, ai e informoi ministrin Gashi për themelimin e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës (FSUK) në mars të këtij viti dhe pranimin e saj në muajin gusht në Federatën Ndërkombëtare të Sporteve Universitare (FISU). Selimi u shpreh se duke qenë se aktivitetet sportive tek studentët në Kosovë nuk janë në nivelin e kënaqshëm, e kemi marrë këtë iniciativë për themelimin e kësaj federate, e cila do të ndikojë në shtimin e aktiviteteve sportive në Kosovë dhe në masovizim. Ai tha se deri më tani mbështetja për federatën ka munguar dhe pret që ministria ta përkrahë federatën në fjalë, për të cilin ministri Gashi e premtoi se nga viti 2018, FSUK-ja do të përkrahet si federatat tjera sportive dhe nga viti i ardhshëm sportet do të prioritetizohen në bazë të rezultateve dhe përkrahja për federatat do të bëhet sipas tyre.

Ministri po ashtu e informoi dekanin Selimi për hapat që do të ndërmerren së shpejti në plotësimin e akteve ligjore e nënligjore të cilat do të ndihmojnë dukshëm në përmirësimin e menaxhimit, rritjen e përkrahjes dhe cilësisë në sport, duke iniciuar ligjin për menaxhimin e objekteve dhe rregulloren për sponsorizime që derivon nga ligji për sponsorizime që tashmë është në fuqi, ku si ministri do të punojmë bashkë me partnerët dhe palët e interesit për të përmbushur këto synime, u shpreh Gashi.