Ministri i Jashtëm i Turqisë mbërrin në Maqedoni, kërkesa të shumta që të mos takohet me Talat Xhaferin

Shefi i diplomacisë turke në kuadër të qëndrimit të tij në Maqedoni, gjatë ditës së nesërme do të takohet me homologun e tij, Nikolla Dimitrov, ku pritet të shkëmbehen mendime për marrëdhëniet dypalëshe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka mbërritur në Aeroportin “Aleksandri i Madh” në Shkup, në kuadër të vizitës së tij zyrtare një ditore në Maqedoni, shkruan Almakos.

Ai do të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit me të cilët pritet të diskutojë temat aktuale në rajon dhe më gjerë. Shefi i diplomacisë turke në kuadër të qëndrimit të tij në Maqedoni, gjatë ditës së nesërme do të takohet me homologun e tij, Nikolla Dimitrov, ku pritet të shkëmbehen mendime për marrëdhëniet dypalëshe. Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë njoftojnë se në takim do të diskutohen mundësitë për avancimin e bashkëpunimit në shumë fusha, me theks të veçantë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik. “Ministrat do të bisedojnë edhe për temat aktuale në rajon dhe më gjerë, si dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë në planin ndërkombëtar”, theksojnë nga MPJ e Maqedonisë. Në kuadër të vizitës së tij, poashtu është e paraparë që ministri Çavuşoğlu të pritet nga presidenti Gjorge Ivanov dhe nga kryeministri Zoran Zaev.

Burime të Almakosit thonë se për shkak të insistimit të shumë intelektualëve, shoqatave joqeveritare dhe shoqatave që janë kundër dhunës dhe terrorit, Çavuşoğlu ka hequr nga agjenda e tij takimin me kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferin, pas dyshimeve të paraqitura në media se mund të jetë i afërt me Organizatën terroriste FETO. Mbrëmjen e të dielës, ministrat Çavuşoğlu dhe Dimitrov do të marrin pjesë në sofrën e iftarit, të organizuar në nder të ministrit turk nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Shkup, Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe Turqisë (MATTO) dhe Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSİTEB). Poashtu në këtë sofër të iftarit është paralajmëruar prania e presidentit Gjorge Ivanov dhe kryeministrit Zoran Zaev.