Ministri dyshon në cilësinë e barnave në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka shfaqur dyshime se në treg qarkullojnë “barna me cilësi më të dobët”. Kjo pasi që ai ka vendosur të iniciojë ndryshime në Ligjin e prokurimit publik.
Por, një ndryshim i tillë po konsiderohet krejt i panevojshëm nga udhëheqësi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRrPP), Safet Hoxha, i cili ka thënë se arsyetimet e MSH-së nuk kanë të bëjnë fare me ligjin aktual.
Në anën tjetër, Isuf Zejna nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë kjo që e ka monitoruar me vite procesin e prokurimit në MSh, konsideron se duhet analizuar mirë se çfarë po ndryshohet, pasi që ekziston rreziku që këto ndryshime t’u shërbejnë shumë interesave komerciale të bizneseve.
Njëra ndër arsyet që ministrin e ka shtyrë drejt këtij vendimi është blerja e produkteve mjekësore me çmim të ulët , të cilat ai i ka gjykuar si “produkte me cilësi më të dobët”. Por ky arsyetim i ministrit, shkruan “Koha ditore”, konsiderohet si absurd për faktin se Agjencia Kosovare për Produktet Medicinale (AKPM) garanton cilësi për secilin produkt të regjistruar në Kosovë. Megjithatë MSH-ja konsideron se me këto ndryshime do të garantohet cilësi e produkteve që blihen.