Mineco nis blerjen e koncentratit të plumbit nga Trepça në veri

Kompania britanike Mineco International Limited, pjesë e Grupit Mineco, ka filluar blerjen e koncentratit të plumbit nga Kombinati Trepça nga veriu i Kosovës, që kësaj ndërmarrje i ofron të ardhura të rëndësishme deri në fund të verës 2016.

Mineco në tenderin e përfunduar kohët e fundit për shitjen e 12.000 tonëve të koncentratit të plumbit nga Trepça është zgjedhur si ofertuesi më i mirë, ndërsa kontrata për shitblerjen mes Mineco International Limited dhe Kombinatit të Trepçës nga Zveçani u nënshkrua më 19 maj 2015. Vlera e përgjithshme e kontratës është vlerësuar të jetë prej 16 deri 20 milionë dollarë, në varësi të lëvizjes së çmimit të këtij metali në tregjet botërore gjatë periudhës disa muajsh të dërgesës.

Sipas dinamikës së kontraktuar, e cila parasheh dërgesa të sasive të barabarta dhe intervale prej afërsisht 16 muaj, Trepça sot ka dorëzuar 500 tonët e parë të koncentratit të plumbit nga shuma totale e kontraktuar, e që është fillimi i zbatimit të Kontratës dhe bashkëpunimit afatgjatë. Kamionët e Mineco nga herët në mëngjes kanë ardhur në objektet dhe kanë transportuar koncentratin drejtë portës detare nga ku me anije tejatlantike u transportohet përdoruesve final.

“Jemi jashtëzakonisht të kënaqur që kemi filluar bashkëpunimin me Trepçën Zveçan, nëpërmjet blerjes së prodhimit të tyre vjetor. Çdo gjë bëhet me kohë dhe siç kemi rënë dakord dhe shpresojmë që të kemi një bashkëpunim afatgjatë të suksesshëm”, – tha Dominic Roberts, drejtor i Operacioneve të Mineco.

Mineco International Limited, e cila merret me tregtinë e metaleve me ngjyra dhe koncentrateve minerare, është paraqitur edhe në ftesën publike për blerjen e rreth 9,000 tonëve të koncentratit të plumbit nga Trepça jugore, e cila është shpallur më 20 prill.

Mineco International Limited është pjesë e Grupit Mineco, aktivitetet kryesore të së cilës janë tregtia me metale me ngjyra dhe koncentrate minerare, investimi në miniera dhe hulumtimet gjeologjike. Me partnerët e saj Mineco menaxhon minierat e plumbit dhe zinkut në Serbi: ‘Miniera’ në Gornji Milanovac dhe ‘Veliki Majdan’ në Ljubovi, kurse në Bosilegrad është duke u përgatitur për të hapur një minierë të plumbit dhe zinkut ‘Bosil-Metal’. Në Bosnjë dhe Hercegovinë menaxhon minierën e plumbit dhe zinkut Sase, zbaton aktivitete hulumtimi në minierën e vjetër të antimonit në Gorazhdën e Re, kurse është duke përgatitur hapjen e minierës së ceruzitit në Olovë./koha.net/