Milani, 36 milion euro për mesfushorin e Realit

 

Presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, duket se është rikthyer të mendojë për kuqezinjtë. Suksesi i Juventusit në Ligën e Kampionëve është një shtysë më shumë për ish-kryeministrin italian, për të investuar në merkato me qëllim përforcimin e organikës.

Së fundi, mësohet se Berluskoni kishte gati një ofertë prej 36 milionë eurosh për talentin e Palermos, Paulo Dibala, por ishte tepër vonë, pasi lojtari firmosi për “Zonjën”.

Gjithsesi, këtë shumë parash numri një i Milanit e ka “taksur” për të bërë një goditje të rëndësishme në merkato dhe mësohet se objektivi i radhës është mesfushori i Realit, Isko.

Futbollisti mund të largohet nga “galaktikët” në muajt e ardhshëm, për të gjetur një skuadër që i garanton më shumë hapësira dhe Adriano Galiani ka nisur kontaktet me Realin. Numri dy i Milanit flitet se në ditët e ardhshme është gati për të ofruar 36 milionë euro për të siguruar shërbimet e mesfushorit të talentuar.