Më 5 prill në Rrezallë rivarrosen mbetjet mortore të 28 viktimave të Rashkës

Të dielën, më 5 prill 2015, në fshatin Rrezallë të Skenderajt, do të rivarrosen mbetjet mortore të 28 viktimave të identifikuara nga mbetjet mortore të gjetura në Rudnicë të Rashkës (Serbi).
Sipas kryetarit të fshatit Rrezallë, Muhamet Rukolli, me këtë datë do të shënohet edhe 16 vjetori i masakrës së Rrezallës, ku nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rrezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin të zhdukur.
“Aktualisht, pas identifikimeve të fundit, kemi edhe 16 persona të zhdukur nga fshati Rrezallë, ku 8 janë nga data 5 prill 1999, pra të zhdukur në të njëjtën datë më 28 personat që do t’i rivarrosim të dielën”.
I kontaktuar nga lajmi.net, udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara ka konfirmuar se më 5 prill do të rivarrosen mbetjet mortore të 28 personave të identifikuar, viktima të luftës nga fshati Rrezallë, transmeton lajmi.net
“Në respektim të kërkesave të familjeve dhe familjarëve dhe udhëheqësin e fshatit Rrezallë, në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt dhe institucionet tjera kompetente të Republikës së Kosovës, jemi në përgatitjet e fundit të organizimit të ceremonisë së rivarrimit të 28 personave të identifikuar nga mbetjet mortore të gjetura në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës (Serbi). Është e drejtë e familjeve të personave të identifikuar të vendosin për datën dhe kohën e rivarrimit, dhe ne si institucione sigurisht që do të jemi në përkrahje dhe do të jemi me këto familje dhe gjithë familjarët e personave të zhdukur”, theksoi Gara.
Ai shtoi se nesër familjet e personave të identifikuar do të jenë në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, ku, konform procedurave ligjore dhe praktikave të deritanishme, do të bëhet nënshkrimi, përkatësisht dorëzimi i dokumenteve të identifikimit, ndërsa mbetjet mortore të vendosura në arkivole të mbuluara me flamuj kombëtar do të dorëzohen të dielën, me 5 prill. Sipas një njoftimi të fshatit Rrezallë dhe Komunës së Skenderajt, homazhet dhe ceremonia e rivarrimit do të fillojë nga ora 12:00.