Mbyllet lokali ku u helmuan nxënësit në Mitrovicë

Inspektorati Sanitar ka mbyllur të enjten lokalin “Oki” në Mitrovicë, ku dyshohet se janë helmuar më shumë se 100 nxënës, shkruan sot, gazeta Zeri.

Helmimi i 116 nxënësve të Mitrovicës nga ushqimi në një lokal në shesh, në afërsi të gjimnazit “Frang Bardhi”, në Mitrovicë, të mërkurën, ka vazhduar edhe me raste të tjera të helmimit gjatë ditës së enjte.

Në spitalin rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri”, në jug të Mitrovicës, gjatë ditës së enjte janë paraqitur edhe dy-tri raste të tjera me simptoma të helmimit. Në spitalin rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” kanë thënë se prej ditës së djeshme numri i rasteve është rritur në rreth 120.

Të helmuarit kryesisht janë nxënës, pasi që lokalet ku ata janë ushqyer, siç kanë thënë “me tosta”, ndodhet afër objektit të gjimnazit “Frang Bardhi”, por ka edhe qytetarë të helmuar. Drejtori i spitalit rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri”, Hamzë Berisha, si dhe zëvendësi i tij, Zahir Musa, kanë thënë se janë paraqitur raste të reja të helmimit të nxënësve.

“Ka disa raste të reja të cilat kanë ardhur gjatë natës edhe sot, që do të thotë se janë përsëritje të rasteve. Ata kanë komplikime, kryesisht dhembje koke, dhembje barku dhe ethe. Nuk është gjendje e rëndë, analizat nuk kemi mundur t’i kryejmë këtu sepse nuk kemi infektolog dhe për këtë arsye i kemi dërguar në QKU”, ka thënë drejtori Berisha, i cili ka njoftuar se ende nuk dihet shkaku i helmimit të nxënësve.