Mbipesha – Ndikon jo ajo çfarë hamë, por mënyra se si ushqehemi

Periudha pas pushimeve të fundvitit është koha kur shumica e njerëzve janë më të vetëdijshëm për peshën e tyre dhe për kaloritë që marrin. Kjo për shkak të vakteve të bollshme që secili ka ngrënë në darkat familjare. Por shkencëtarët sugjerojnë diçka të re: nuk është problemi tek ato që hamë, por te mënyra se si ushqehemi. Dy ekspertë nga Universiteti i Harvardit shpjegojnë se nuk është çështja vetëm te kaloritë, por te mënyra sesi ushqimi përpunohet dhe paraqitet ajo që bën diferencën. Richard Wrangham është profesor i Antropologjisë Biologjike dhe Rachel Carmody është bashkëpunëtor në Biologjinë Evolucionare. Ata thonë se etiketat e ushqimit duket sikur japin të gjithë informacionin për të cilin ka nevojë një konsumator i kujdesshëm, ndaj përllogaritja e kalorive duhet të jetë e thjeshtë. Por gjërat janë më të ngatërruara se kaq, sepse etiketat e ushqimit tregojnë vetëm gjysmën e historisë. Kaloritë janë mënyra sesi matet energjia e përdorshme dhe etiketat tregojnë sesa kalori përmban çdo ushqim. Por ç’ka etiketat nuk tregojnë, është sesa kalori merr secili prej nesh nga një ushqim, çka varet edhe nga përpunimi që i është bërë produktit.

Ushqimet e përpunuara na shëndoshin– Përpunimi i ushqimit përfshin gatimin, përzierjen apo copëtimin e tij, por edhe përdorimi i miellit të rafinuar në vend të atij të parafinuar. Kjo mund të bëhet nga industria ushqimore përpara se të bjerë në duart e konsumatorit, ose në shtëpi gjatë përgatitjes së një vakti. Pasojat mund të jenë të mëdha.

Nëse ha ushqim të pabërë ka më shumë gjasa të humbësh peshë. Nëse ha të njëjtin ushqim të gatuar, priresh të shtosh kilogramë. Të njëjtat kalori me efekte të ndryshme. Për paraardhësit tanë, kjo mund të ketë qenë çështje jetë a vdekjeje. Qindra mijëra vite më parë, kur njerëzit e parë mësuan të gatuanin, ata ishin në gjendje të merrnin më shumë energji në çdo gjë që hanin. Energjitë shtesë i lejuan ata të zhvillonin tru më të mëdhenj, të kishin më shpejt fëmijë dhe të udhëtonin më gjatë.

Pa gatimin, ne nuk do të ishim njerëz – Eksperimentet te kafshët tregojnë se përpunimi ndikon te marrja e kalorive edhe nëse burimi i energjisë është karbohidrat, proteinë apo yndyrë.

Sa më i madh të jetë përpunimi që i është bërë ushqimit, aq më shumë energji merr ai që e konsumon. Nëse hamë ushqim të papërpunuar, rreth gjysma e kokrrizave të niseshtesë së tij, kalojnë pa u përpunuar. Trupi ynë merr dy të tretat ose më pak të kalorive të disponueshme në ushqim. Pjesa tjetër mund të përdoret nga bakteret e zorrës së trashë, ose mund të dalë jashtë.

Edhe te produktet e gatuara, tretshmëria varion – Niseshteja bëhet më rezistente ndaj tretjes kur ushqimi lejohet të ftohet dhe të rrijë pak pas gatimit, sepse gjatë këtij procesi, niseshteja kristalizohet në struktura që enzimat e tretjes nuk mund t’i shpërbëjnë me lehtësi. Ndaj, ushqime të ndenjura të një dite më parë, mund t’ju japin më pak kalori sesa ushqimet e ngrëna në çast. Produktet e gatuara mirë nuk janë vetëm më të tretshme, ato priren të jenë më të buta, kërkojnë që trupi të shpenzojë më pak energji gjatë tretjes. Sa më shumë të punojë stomaku për të tretur një ushqim, aq më mirë është për ne. Kur shpenzohet pak energji për të tretur, fitohet më shumë peshë dhe kështu njeriu shëndoshet. Ushqimet tona të preferuara janë përgatitur në atë mënyrë që të na shkrijnë në gojë dhe të rrëshqasin teksa i hamë, por kjo nuk është gjë e mirë për mekanizmin tonë tretës. Por nëse dëshironi të humbni peshë, duhet të sfidoni dëshirat instiktive për gjëra të thjeshta. Sa më të lehtë ia bëni punën gojës, aq më të vështirë do ta ketë stomaku juaj. Kjo çështje ka mbetur e padiskutuar më parë për shkak se shkencëtarët e kanë të vështirë të gjejnë sesa kalori shtesë fitohen kur hamë ushqime që janë shumë të përpunuara në krahasim me ato të ngrëna të gjalla.

 
Loading...