Mbi 20 konkurrentë për çmimet “Azem Shkreli”

Mbi 20 konkurrentë janë në garë për çmimin kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe ato vjetore letrare. Juria për këto tashmë është themeluar. Anton Berishaj, si kryetar i jurisë, bashkë me Musa Ramadanin, Nerimane Kamberin, Ismail Sylën dhe Agron Gashin do të bëjnë vlerësimet.
Siç raporton sot “Koha Ditore”, takimin e parë e kanë mbajtur të mërkurën. Te çmimet vjetore letrare janë katër kategori. Do të vlerësohen vepra më e mirë e vitit 2014 në prozë, ai në poezi, për kritikën më të mirë letrare, eseistike dhe libri më i mirë i përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.
Për këto çmime janë vetë shkrimtarët të cilët duhet të konkurrojnë për çmimin për vepër jetësore që bëhet përmes nominimit nga institucione kulturore.
Numri prej 20 konkurrentësh për Ministrinë e Kulturës nuk është i kënaqshëm.
“Relativisht nuk është një numër i lartë. Me siguri se juria do të vlerësojë aty ku e sheh se ka vlera dhe do të propozojë çmime. Juria ka një periudhë të vlerësimit dhe më pas rimblidhen për të diskutuar vlerësimet e tyre”, ka thënë Vehbi Miftari, këshilltar i ministrit të Kulturës, Kujtim Shala. Konkursi për këto çmime është publikuar më datën 20 të muajit dhjetor të vitit të kaluar ndërsa është mbyllur me datën 5 të muajit janar të këtij viti.
Vitin e kaluar Çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” e mori poeti dhe studiuesi, Agim Vinca. Ndërkaq çmimet vjetore për letërsi iu ndanë gjashtë autorëve, të cilët juria i kishte konsideruar më meritorët në mesin e kandidatëve.
Çmimi për Librin më të mirë në prozë do t’i ndahej Drenusha Zajmi-Hoxhës për romanin “Krrokama”, ndërkaq për kategorinë e librit më të mirë në poezi çmimi iu nda dy autorëve, Sabit Rrustemit për “Murale shpirti” dhe Adem Gashit për “Kthimi i pamundur, Lady”.
Merxhan Avdyli me “Dritësime letrare” dhe Flamur Maloku me “Polisemia e veprës” do të merrnin çmimin për librin më të mirë në kritikën letrare. Çmimin për librin më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe do ta merrte autori Izet Sylaj për përkthimin e “Tregoju për betejat, mbretërit dhe elefantët” të Mathias Enardit.