Mbështetet Projektligji për mbikëqyrjen elektronike të personave

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Naser Osmani u shqyrtua dhe u përkrah pa vërejtje Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përmirësuar pajtueshmërinë e rregulloreve tatimore në nivel ndërkombëtar dhe zbatimin e rregulloreve FACTA, të cilin e prezantoi ministri i Financave, Avdullah Hoti.
Komisioni ka shqyrtuar edhe Buxhetin e Komunës së Prishtinës, për vitin 2015. Me këtë rast, përkrahu për procedimin në seancë plenare raportin me propozime.
Më tej, u shqyrtua edhe Projektligji për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me Vendim të Gjykatës ose të panelit për lirim me kusht dhe amendamenteve të Komisionit Funksional për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Duke u përkrahur ky projektligj, u vlerësua se është i përballueshëm për buxhetin e vendit.
Po ashtu, u përkrah në parim për procedim në mbledhje të Kuvendit edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, të propozuar nga nisma qytetare.
Komisioni pas shqyrtimit të Raportit Vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2014 dhe të Raportit Vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, për vitin 2014, i rekomandoi Kuvendit miratimin e këtyre raporteve.
Krejtësisht në fund, Komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-51 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit. Duke e përkrahur atë, u vlerësua se ky projektligj nuk ka kosto buxhetore shtesë.