Mbahet Sofra Poetike “Ymer Elshani” 2017, Izet Abdyli merr çmimin special

Në Drenas është mbajtur manifestimi letrar tradicional, Sofra Poetike “Ymer Elshani” 2017 i organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.

Të pranishëm në këtë manifestim tradicional ishin poetë e shkrimtarë nga Kosova dhe Shqipëria, përfaqësues të familjes së shkimtarit, poetit dhe atdhetarit Ymer Elshani, Kryetari i Komunës së Drenasit, z.Ramiz Lladrovci me bashkëpunëtor, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe iu dëshiroj suksese në krijimtarinë e tyre letrare, si dhe shumë adhurues të poezisë shqipe të Komunës së Drenasit.

Në konkursin letrar për poezi, konkuruan 32 krijues të poezisë, ndërsa juria në përberje prej Sheremet Prokshi-kryetar, Selman Mula-anëtar dhe Sadbere Uka, Elshani-anëtare, përzgjodhën më të mirët e këtij konkursi tradicional të poezisë.

Paraprakisht fjalën e mori Shefi i Kabinetit të Kryetarit, z. Gani Sylaj dhe Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Flutura Avdiu e cila e shpalli të hapur manifestimin.

Pastaj u lexua një kumtesë letrare nga shkrimtari Zeqir Bekolli dhe dhjetë (10) poezitë më të mira.

Juria përzgjodhi për çmim të tretë poezinë “Biri im” të autorit Dren Bujupi nga Drenasi, çmimin e dytë “Në vend të errësirës të marrim dritën” të autorit Ruzhdi Berisha nga Podujeva dhe çmimin e parë poezia “Mi kthe lotët e gëzimit” të autorit Agim Desku nga Peja.

Ndërsa çmimi special i Sofrës Poetike “Ymer Elshani” 2017 kësaj radhe i’u nda shkrimtarit Izet Abdyli nga Drenasi.

DKRS për kontributin e dhënë i ndau mirënjohje familjes së respektuar të Ymer Elshanit, të cilën e pranoi vëllau i Ymerit, Veli Elshani.